Qeveria ia jep 10 hektarë tokë kësaj skuadre

Qeveria ia jep 10 hektarë tokë kësaj skuadre

FC Prishtina do ta nis së shpejti ndërtimin e kompleksit sportiv, i cili do të marrë kohë deri në finalizim, por që do të kryhet pjesë-pjesë. Në këtë investim milionësh pritet të kontribojnë edhe investitorë të huaj.

FC Prishtina shumë shpejt pritet të dalë në dritë sa i përket infrastrukturës. Kjo për faktin se klubi më i madh kosovar përfundimisht e mori në shfrytëzim një parcelë të tokës me një sipërfaqe prej dhjetë hektarësh në Bërnicë për ta ndërtuar kompleksin e vet sportiv. Marrëveshja është nënshkruar në mes ministrit të Sportit, Kujtim Gashi, dhe presidentit të FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Sportit, parcela e tokës prej 100 mijë metrash katror do të shfrytëzohet nga FC Prishtina për 44 vjetët e ardhshme, transmeton Periskopi.

“Shfrytëzuesi i parcelës, FC Prishtina do ta shfrytëzojë këtë hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe ndërtimin e fushave sportive dhe kampusit sportiv deri më 31 dhjetor 2059”, thuhet në njoftimin e këtij dikasteri qeveritar.

Me këtë rast, Ministri Gashi është shprehur të jetë i kënaqur me kontributin e tij të dhënë për zhvillim të sportit Kosovar.  “Ndjehemi jashtëzakonisht të kënaqur që u mundësua deri tek kjo fazë, kur po i ndajmë 10 hektarë sipërfaqe klubit të futbollit ‘Prishtina’, për shfrytëzim, si një mundësi tepër e madhe për ta që të ndërtojnë fusha dhe kampus sportiv, si dhe të zhvillojnë aktivitetet e tyre në këtë pjesë. Bërnica e poshtme do të jetë adresa e re e sportit në kryeqytetin e Republikës së Kosovës”, tha mes tjerash ministri Gashi.

Ndërkaq, presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, e ka falënderuar ministrin Gashi dhe Qeverinë për përkrahjen ndaj klubit dhe futbollit prishtinas. “Është një sukses i madh për sportistët e Prishtinës dhe i shpreh mirënjohjen ministrit Gashi dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahjen që kanë treguar. Me dhënien në shfrytëzim të kësaj hapësire, do të krijohen mundësi të reja për sportin në kryeqytet”, tha Ejupi.

FC Prishtina do ta nis së shpejti ndërtimin e kompleksit sportiv, i cili do të marrë kohë deri në finalizim, por që do të kryhet pjesë-pjesë. Në këtë investim milionësh pritet të kontribuojnë edhe investitorë të huaj./Periskopi/

Shpërndaje në: