Futbollisti kosovar, pjesë e formacionit më të mirë të javës në Bundesligë
Revista gjermane e sportit, Sportschau, e ka publikuar formacionin më të mirë të javës në Bundesligë, ku njëri ndër 11 lojtarët më të mirë u zgjodh edhe ylli i Kosovës dhe Werder Bremenit, Milot Rashica.
Sulmuesi anësor ishte lojtari më i rrezikshëm i Werder Bremenit në ndeshjen kundër Hannover 96. Rashica arriti ta shënojë golin e fitores në këtë ndeshje, për t’ia siguruar tri pikë të rëndësishme skuadrës së tij, përcjell Periskopi.
Përveç që e shënoi golin e fitores, Rashica i bëri më së shumti goditje drejt portës nga të gjithë lojtarët dhe u përfshi në të gjitha rastet e krijuara nga Werder Bremeni. Kosovari ishte gjithashtu lojtari i cili kishte vrapuar më së shumti në fushë në këtë ndeshje.

Të gjitha këto bënë që Rashica ta fitojë një vend në mesin e 11 lojtarëve më të mirë të javës në Bundesliga, ku përfshihen edhe nga dy lojtarë të top klubeve të Gjermanisë, si Bayern Munichu, Dortmundi, Frankfurti dhe Hertha.
Rashica i ka bërë 11 paraqitje gjatë këtij sezoni në Bundesligë, ku ka arritur t’i shënojë 2 gola dhe ta asistojë një tjetër. Ai kontribuoi edhe në kupën DFB-Pokal me një paraqitje për skuadrën e tij.
Kosovari ende nuk i ka bërë një vit që kur është transferuar në Bundesligë, pasi që deri më 31 janar të vitit të kaluar kishte qenë pjesë e klubit holandez, Vitesse. Ai e siguroi këtë transferim pasi që gjermanët u pajtuan t’i paguajnë shtatë milionë euro për të.
Deri në afatin kalimtar të verës së vitit 2015, Rashica kishte qenë pjesë e klubit kosovar, Vushtrrisë, dhe atë vit e siguroi transferimin në Holandë për 300 mijë euro./Periskopi/



