Zbulohen problemet që kishte aeroplani i Sala-s

Zbulohen problemet që kishte aeroplani i Sala-s

Bota e futbollit u godit të hënën nga një tragjedi, kur aeroplani që po e barte lojtarin argjentinas Emiliano Sala u zhduk mbi Kanalin Anglez derisa po fluturonte nga Nantes në Cardiff.

Tani thuhet se aeroplani kishte probleme para se të nisej nga qyteti francez, përcjell Periskopi.

Gazeta franceze Ouest raportoi sot se Sala ia dërgoi disa mesazhe bashkëlojtarit të tij te Nantes, Nicolas Pallois, i cili e kishte çuar në aeroport, duke ia shpjeguar se aeroplani kishte tentuar pa sukses të ngrihej tri apo katër here, para se t’ia dilte përfundimisht.

Sipas gazetës franceze, mesazhet përmbanin edhe emotikone me buzëqeshje.

Pasi ishte ngritur në ajër, sulmuesi i kishte dërguar audiomesazhe familjes së vet në Argjentinë, duke shprehur shqetësimet e tij për gjendjen e aeroplanit dhe duke e pranuar se kishte frikë.

“Jam në një aeroplan që duket se po shkatërrohet dhe po shkoj në Cardiff, çmenduri, nesër veç fillojmë, kurse pasdite nisim stërvitjen, djema, në ekipin tim të ri”, ka thënë ai.

Aeroplani me një motor dhe gjashtë ulëse, u nis në orën 20:45 nga aeroporti i Nantes dhe, pas një ore fluturimi, u zhduk nga radari mbi ujërat e Guernsey.

Autoritetet në ishull janë duke kërkuar për mbetjet, edhe pse tashmë kanë thënë se duke marrë parasysh ujin tejet të ftohtë, gjasat për të gjetur të mbijetuar janë shumë të vogla./Periskopi /

Shpërndaje në: