Emocionuese: Ja çka bën Lorik Cana për futbollistin e zhdukur
Zhdukja e sulmuesit të Cardiff City, Emiliano Sala, ka tronditur botën e futbollit.
Aeroplani me të cilin argjentinasi po fluturonte nga Franca drejt Anglisë papritmas humbi nga radarët dhe ende asgjë nuk dihet për jetën dhe fatin e 28-vjeçarit.
Ai kishte kompletuar transferimin e tij para disa ditësh teksa nga Ligue 1 kishte kaluar në Premier League.
Kjo zhdukje e mistershme ka habitur të gjithë opinionin sportiv, ndërsa dhimbja më e madhe ndihet tek familjarët dhe shokët e skuadrës, të cilët luten për shëndetin e argjentinasit.
Për këtë ngjarje kanë reaguar edhe shqiptarët si Lorik Cana dhe Ermir Lenjani, të cilët kanë luajtur së bashku me të tek skuadra e Nantes në Francë.
Menjëherë pas lajmit të trishtë, dyshja e futbollistëve shqiptarë ka reaguar në rrjetet sociale duke u lutur për jetën e argjentinasit.
“Lutem për Emilianon”, shkruan Lorik Cana, teksa e shoqëron mesazhin me një foto në kohën kur luanin së bashku në skuadrën franceze.
Ndërkohë, sot gjatë ditës u publikua edhe audiomesazhi me fjalët që Sala u kishte dërguar shokëve të tij.




