E FUNDIT: Nuk ka shpresë për Sala, lojtari supozohet të jetë i vdekur
Shpresat se futbollisti i zhdukur Emiliano Sala është ende i gjallë, duket se bëhen gjithnjë e më të pakta.
Shpëtimtarët britanikë, francezë dhe ata të Ishujve të Kanalit të mërkurën bënë kërkimet për të dytën ditë radhazi pa gjetur asgjë, raporton AFP.
Ai tani po konsiderohet i vdekur, pasi shpëtimtarët kanë përfunduar kërkimet në ditën e dytë.
Sulmuesi argjentinas u kishte dërguar të afërmve të tij mesazhe vetëm disa minuta pasi aeroplani ishte ngritur, duke thënë se “po duket se do të rrëzohet”.
Disa objekte janë gjetur në ujë, derisa policia në ishullin britanik të Guernsey, që gjendet në bregun verior të Francës, tha se shanset janë të vogla që Sala të gjindej.

Lokacioni ku aeroplani i Sala, një Piper Malibu, ishte zhdukur nga radarët
“Një vendim se a do të rifillojmë [me kërkimet] do të merret në mëngjesin e hershëm të së enjtes”, tha policia në një deklaratë.
“Uji është shumë i ftohtë për momentin, kushtet në det janë shumë të vështira, era është shumë e fortë”, tha John Fitzgerald, shefi i Kërkimeve Ajrore në Ishujt e Kanalit për AFP-në.
“Mendoj se edhe personi më i fortë, do ta kishte shumë të vështirë të mbijetonte në këto kushte për një periudhë kaq të gjatë kohore”, shtoi ai.
Rojet bregdetare të Guernsey e kanë zbuluar edhe identitetin e personit tjetër në aeroplan, në këtë rast pilotit, David Ibbotson.
Mediat britanike raprotuan se ai është një 60-vjeçar, që jeton në Scunthorpe të Anglisë veriore.



