Ylli i Kosovës është i lirë, pret oferta nga klube prestigjioze
Rikthimi në Norvegji rezultoi një bast i fituar për Herolind Shalën.
Mesfushori i Kosovës, ishte një ndër lojtarët më të mirë të Start, por pavarësisht paraqitjeve të 26-vjeçarit, klubi nuk arriti të qëndronte në elitën e futbollit norvegjez “Eliteserien”.
Kontrata e Shalës me Startin kishte një opsion për një rinovim edhe për një vit tjetër, por do të ishte mëkat, që një lojtari i nivelit të tij të luajë në divizionin e dytë norvegjez.

Në një intervistë të shkurtër për “Sporti në KTV”, lojtari i “dardanëve” foli për herë të parë në lidhje me të ardhmen e tij.
“Nuk kam dashur ta vazhdojë kontratën, sepse synimi im është të transferohem në ndonjë skuadër tjetër. Ende nuk e di se ku do ta vazhdoj karrierën, por unë do të largohem”, tha Shala.



