Kampioni sfidon Joshua-n
Boksieri i pamposhtur ukrainas Oleksandr Usyk, kampioni i botës në peshën “light heavyweight (pesha 82-93kg), ka deklaruar se do të ngjitet në peshë për duelin e radhës, duke kaluar në peshën e rëndë.
Sfida e radhës e Usyk, 16 fitore e asnjë humbje në ring, do të jetë në maj, por ende nuk dihet emri i rivalit.
32-vjeçari pritet të sfidojë fillimisht një boksier amerikan dhe më pas një britanik, çka e bën atë një kandidat të fortë për tu ndeshur për titujt kampionë bote në peshën e rëndë, ndaj Anthony Joshua.
Vështirë se ky duel mes Joshua dhe Usyk do të zhvillohet që në maj, duke qenë se ukrainasi nuk dëshiron që në sfidën e parë në një Divizion ta zhvillojë ndaj britanikut.
Alex Krassuk, menaxheri i Usyk, tha: “Sfida e radhës e Oleksandr do të jetë në peshën e rëndë. Me shumë gjasa ajo do të zhvillohet në Amerikë, në datat 17 apo 25 maj. Ai e dëshiron këtë kalim në Divizionin e ri. Të gjithë e dinë vlerën e tij, por ai dëshiron t’i ngjitë shkallët një e nga një, derisa të shpallet kampion bote edhe në peshën e rëndë”./Periskopi/



