Mesfushori kroat refuzon Chelsea-n
Mesfushori kroat i Barcelonës, Ivan Rakitic, shpreson se do të arrijë ta rinovojë kontratën e tij me katalonasit pasi që dëshiron të luajë për edhe shumë sezone të tjera në Camp Nou.
E ardhmja e mesfushorit kroat është vënë në dyshim përsëri këtë afat kalimtar, pasi që media të ndryshme raportuan se 30-vjeçari mund të transferohet në Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës, përcjell Periskopi.
Klubi londinez besohet se është duke e monitoruar situatën e Rakiticit në Barcelonë, pasi që ai do ta ketë edhe më të vështirë ta zë një vend në formacionin e parë të Barcelonës, pas transferimit të Frenkie de Jongut nga Ajaxi.
Rakitici është i vetëdijshëm për këto spekulime dhe për lojtarët e rinj të cilët do të garojnë kundër tij për një vend në formacion të parë, megjithatë ai bëri të ditur se nuk dëshiron të largohet nga ky klub.
“Unë dua të jem këtu dhe nëse mund ta rinovoj kontratën, dua të jem këtu edhe për shumë vite të tjera. Jam shumë i lumtur këtu, të gjithë e dinë këtë gjë, e mbi të gjitha e di edhe presidenti. Nuk kam asgjë tjetër për të thënë”, ka thënë Rakitic.

“A do ta ndikojë De Jongu të ardhmen time? Kjo është një pyetje e mirë për trajnerin ose për presidentin. Njerëzit që më njohin mua e dinë se unë vetëm dua të luaj. Do të ballafaqohem me të gjitha sfidat me qetësi dhe me shumë motiv”.
“Jam 30-vjeçar dhe jam në momentin më të mirë të karrierës sime. Dua ta shijoj futbollin tim këtu dhe dua ta shijoj Barcelonën. Dua të jem këtu edhe për shumë vite të tjera, mirëpo, pikë së pari, dua ta shijoj këtë sezon dhe të fitoj shumë tituj”./Periskopi/



