Hyka: Shqiptarët dhe izraelitët janë vëllezër, gjithmonë iu kemi ndihmuar
Mesfushori i Kombëtares, Jahmir Hyka firmosi ditën e djeshme te skuadra izraelite Makabi Netanias.
Transferimi i shqiptarit nuk është pritur aspak mirë nga izraelitët, të cilët janë ndjerë të ofenduar nga disa foto të postuar nga Hyka disa vite më parë, teksa mesfushori shtatshkurtër është shndërruar në një “çështje”.

Pas kësaj situate aspak të këndshme, 30-vjeçari është detyruar të reagojë nëpërmjet një postimi në faqen e “Instagramit” duke kërkuar falje nëse ka ofenduar ndokënd.
POSTIMI I HYKËS:
Dua të bëj të qartë diçka. Nuk kam asgjë kundër Izraelit dhe izraelitëve. Në fakt, në udhëtimet e mia në Izrael si pjesëtar i ekipit kombëtar, kam pasur gjithmonë eksperienca të mira dhe e kam shijuar kohën e shkurtër që kam kaluar atje.
Jam kundër luftës dhe vdekjes së njerëzve të pafajshëm. Do të doja të kërkoja falje, në rast se fotot që kam postuar vite më parë kanë ofenduar ndonjë njeri, nuk ishte qëllimi im. Në vendin tim, ne kemi shumë respekt për hebrenjtë dhe luftën e dytë botërore ne ndihmuam hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Jam shumë i emocionuar që jam në Izrael dhe dua të mësoj më shumë për vendin dhe mbi të gjitha të ndihmoj Makabi Netanian të arrijë objektivat dhe të bëjmë tifozët të lumtur. Shpresoj që ta arrijmë të gjithë së bashku dhe Yalla Netanya.




