FSHF kërkon maturi nga tifozët shqiptarë ndaj Izraelit
Federata Shqiptare e Futbollit u trembet sjelljes së tifozëve në ndeshjen ndaj Izraelit, ku iu ka kërkuar që mos të shpalosin të tilla pasi do të ketë dënime nga UEFA dhe FIFA nëse kjo gjë ndodh.
“Nëse do të ketë tifozë të tillë që do të mundohen të shpalosin banderola të tilla politike në stadium, pa diskutim që do të jetë një gjë shumë e dëmshme për Kombëtaren shqiptare, pasi UEFA dhe FIFA i dënojnë këto gjeste. Por bëj thirrje dhe një apel që askush të mos guxojë të bëjë gjeste të tilla, pasi do të ketë monitorim të rreptë dhe nëse ata guxojnë, do të kenë masa të ashpra penale. E them me bindje që njerëz të tillë do të arrestohen në moment. Nëse do të kenë raste të tilla, do të ketë masa shumë të forta, jo sportive, por masa penale”, deklaroi Shulku për “News24”.
“Duke marrë shkas nga këto fenomene, – vijoi ai, – kemi filluar kontaktet me grupet e tifozërive, ku u kemi kërkuar që të jenë të kujdesshëm në hedhjen e parullave dhe flakadanëve apo fishekzjarrëve. Mendoj se kemi arritur në një gjuhë të përbashkët, ku dhe ata na kanë mirëkuptuar. Ne nuk kemi një federatë e pasur, pasi këto para që paguajmë si dënim për gjeste antisportive mund të ishin të ardhura që mund të përdoreshin për të ndërtuar fusha apo zhvillimin e futbollit”.



