Fury – Wilder, kaq do fitojnë boksierët nga rimeçi
Boksieri britanik Tyson Fury pritet të përfitojë 20 milionë funte nga revanshi që do të zhvillojë me kampionin e botës të peshës së rëndë në kategorinë WBC, amerikanin Deontay Wilder. Në sfidën e parë (dueli i 2 dhjetorit u mbyll në barazim), britaniku fitoi 7 milionë funte, ndërsa tani kjo shifër është gati 3 herë më e lartë.
Sipas “Daily Mail”, që i referohet burimeve nga stafi i Fury, marrëveshja mes dy boksierëve të pamposhtur në ring tashmë është e përfunduar. Pengesa e fundit, që shtyu me një javë firmosjen e kontratës, përqindja që do të merrte secili boksier, tashmë është zgjidhur.
Ky revansh mes Wilder dhe Fury pritet të gjenerojë nga PPV (pay per view-paguaj për ta parë) shumën e 50 milionë funteve. Fury do të marrë 40 për qind të të ardhurave dhe Wilder 60 për qind. Stafet e të dy boksierëve pritet të zyrtarizojnë duelin gjatë ditës së sotme në Meksikë, në selinë qendrore të WBC-së.
Konfirmohet gjithashtu se dueli do të zhvillohet në Nju Jork dhe jo në Las Vegas, siç ishte përfolur kohët e fundit. Natyrisht në stadiumin gjigant të “Madison Square Garden”. Ndërsa data kur dy boksierët e peshës së rëndë do të kryqëzojnë dorezat pritet të jetë 18 maji.



