Përfaqëson Kosovën në skijim, por është dentist
Albin Tahiri është skitari më i mirë që e ka Kosova. Por, profesioni i tij i parë është ai i dentistit.
Kosova po merr pjesë në Kampionatin Botëror të Skitarisë, i cili po mbahet në Are të Suedisë.
“Dardanët” në këtë eveniment prestigjioz po i përfaqëson edhe skitari më i mirë i vendit, Albin Tahiri, i cili po merr pjesë në pesë disiplina.
Edhe pse është skitar i shquar, Tahiri njihet edhe për një profesion tjetër: ai është dentist.
Prandaj, mediat e huaja ia kanë kushtuar një shkrim të veçantë pjesëmarrësve të Botërorit të Skitarisë, të cilët kanë profesione të tjera prioritare.

“Albin Tahiri është i gjithanshëm. Në Olimpiadën Dimërore ‘Pyeongchang 2018’ ai mori pjesë në pesë disiplina. Rezultatin më të mirë e kishte në pozitën e 37-të në disiplinën e kombinuar. Më e rëndësishme se rezultati për dentistin është se ai ishte kosovari i parë pjesëmarrës në Olimpiadë Dimërore”, shkruan fillimisht mediumi zviceran, “Neue Zurcher Zeitung AG” në versionin e tij online.
“30 vjeçari është lindur dhe rritur në Slloveni. Ai iu bashkua klubit të skive si fëmijë. Ai e përfaqëson Kosovën në dy vjetët e fundit, ndërsa më parë garonte për Slloveninë”, ka shtuar “nzz.ch”.



