‘The Guardian’ shkruan për Reimsin dhe Arbër Zenelin
‘The Guardian’ i ka kushtuar një shkrim skuadrës së Stade de Reimsit, duke i dhënë rëndësi të veçantë edhe transferimit të Arbër Zenelit.
Gazeta prestigjioze britanike, thekson faktin se Reims vitin e kaluar garonte në Ligue 2 – divizioni i dytë i kampionateve në futbollin francez – kurse tani ka ëndërr Evropën, transmeton Insporti.
Reimsi e pati të vështirë të adaptohej me nivelin e lartë në fillim të sezonit, por tani është i pamposhtur në 10 ndeshje.
Njëra nga befasitë më të mëdha në futbollin francez, përveç rënies së Monacos, është ngritja e Reimsit dhe ëndrra e tyre për të prekur Evropën.
Ekipi i promovuar në ligën e parë të futbollit francez e filloi mbarë sezonin, duke i fituar dy ndeshjet e para, por më pas pësoi rënie të thellë, duke mos arritur asnjë fitore në tetë ndeshje. Verën e kaluar humbën lojtarë si Jordan Siebatcheu dhe Diego Rigonato, me këtë të fundit që u zgjodh lojtari i vitit në Ligue 2, dhe dukej se klubi nuk do të arrinte që të zëvendësonte dyshen.
Ata nënshkruan me mbrojtësin e majtë, Ghislain Konan për një shumë rekord për klubin, dhe me anësorin Moussa Doumbia, por pothuaj të gjithë përforcimet e tjera ishin të pa dëshmuar në nivelet e larta.
Por, të thuhet se gjërat kanë ndryshuar që nga fillimi i 2019-ës do të ishte një nënçmim. Vetëm Lille dhe PSG kanë shënuar më shumë gola këtë vit. Pas fitores së tyre të fundit – me rezultat 4:2 në udhëtim te Montpellieri (ndaj skuadrës që ka pësuar vetëm nëntë gola në shtëpi) – Reimsi tani është pa humbje në 10 ndeshje, dhe një ecuri më të mirë e kanë vetëm Barcelona e Juventusi në top 5 ligat evropiane.
Ata tani renditen në pozitën e 6-të në tabelën e Ligue 1 me 41 pikë, vetëm dy pikë më pak se pozita e 4-t, që aktualisht mbahet nga Saint-Etienne.
Reimsi po ashtu ka mbrojtjen e tretë më të mirë në ligë, me vetëm 24 gola të pësuar, derisa portieri Edouard Mendy ka më së shumti ndeshje pa pësuar gol – gjithsej 11.
Sipas The Guardian, klubi është përforcuar me “sulmuesin intrigues kosovar, Arbër Zenelin, dhe tani kanë një numër të madh të lojtarëve të talentuar të sulmit në dispozicion”.
Gazeta britanike shkruan se tani, me këtë forcë të sulmit, skuadra e Reimsit mund t’i bëjë presion ekipeve si Marseille dhe Saint-Etienne, për një vend në top 6-she.
Përkundër se do të kenë përballë Lillen dhe PSG-në, në pjesën e mbetur të sezonit, te Reimsi ekzistojnë shpresa të mëdha se gjasat për Evropë janë më se reale.
Tifozët do të kujtojnë se ishin afër garave evropiane në sezonin 2013-14 para se të pësonin rënie nën drejtimin e Hubert Fournier, por ai ekip pati golaverazh negativ për pjesën më të madhe të sezonit. Ky ekip duket shumë më mirë i ndërtuar për betejat në vazhdim.



