Emocionuese: Kjo është letra e Mauro Icardit për tifozët e Interit
Mauro Icardi më në fund ka vendosur të flasë dhe këtë e ka bërë në mënyrën e tij, nëpërmjet një postimi në Instagram, ku ka treguar pak nga ajo që ka përjetuar këto ditë, që kur shpërtheu çështja e heqjes së shiritit të kapitenit.
Argjentinasi ka treguar sakrificat dhe dashurinë për klubin, ndërsa ka sulmuar drejtuesit e Interit, të cilët sipas tij nuk e respektojnë siç e meriton.
MESAZHI I ICARDIT
Dashuria tregohet në momentet më të vështira. Është në ato momente kur unë kam vendosur të qëndroj tek Interi, me Interin. Kur ndjeva se me golat e mi mund të ndihmoja Interin të ishte më i fortë se shumë gjëra. Më i fortë se problemet e Fair Play Financiar. Më i fortë se vështirësitë tona, kur ishin të shumtë ata që gjykonin se si skuadër nuk vlenim shumë.
Tek Interi, me Interin.
E pavarësisht kësaj, kam vendosur gjithmonë të qëndroj. Për dashurinë ndaj këtyre ngjyrave. Unë kam refuzuar oferta që vështirë se do të refuzoheshin nga një futbollist profesionist, për më tepër në kushte të tilla. Kam luajtur me dhimbje fizike që më çonin në lot pas ndeshjes dhe në ditët në vijim. Por, vetë kam insistuar për të zbritur në fushë, edhe kundër këshillave të mjekëve. Pasi duke zbritur në fushë kam arritur të harroj çdo dhimbje, me objektivin e vetëm për të dhënë gjithçka për të ndihmuar këto ngjyra.
Tek Interi, me Interin. Për DASHURINË e ngjyrave zikaltër. Pasi ekziston vetëm Interi.
U kam treguar fëmijëve të mi se duhet ruajtur shpresa. I kam mësuar se të fitosh është e vështirë, por që ta bësh me Interin ka një kuptim unik, të cilin vetëm një interist i vërtetë mund ta kuptojë e ndjejë. Sytë e fëmijëve të mi nuk gënjejnë. Këtë dashuri për Interin e kanë mësuar në shtëpinë time.
Unë kam bërë realitet ëndrrën time, kam bërë realitet ëndrrën e të gjithë ne interistëve duke u kthyer në Champions League, me skuadrën ku unë isha kapiten. Pasi kam ndjerë e transmetuar gjithmonë dashuri për këto ngjyra.
Kam qenë gjithmonë kundër atyre të cilët me mundësinë e parë mundoheshin të largoheshin nga klubi. Kam respektuar tifozët, shokët e mi, klubin dhe të gjithë trajnerët që kanë kaluar gjatë qëndrimit tim. Kam bashkëpunuar me klubin, në fushë dhe jashtë, në përfshirjen e çdo lojtari të ri, duke i treguar që vetëm nëpërmjet pasionit do të mund të arrinim objektivat tanë. Unë e di se çfarë është dashuria për Interin dhe tifozët interistë e dinë pasi e kanë parë se sa kam vuajtur, qarë, luftuar dhe në fund gëzuar për këto ngjyra.
Tek Interi, me Interin.
Por siç e thashë, të gjithë sakrificat janë bërë për dashuri të këtyre ngjyrave dhe duke i respektuar të gjithë. Nuk di nëse në këtë moment ka dashuri dhe respekt ndaj Interit dhe ndaj meje nga një pjesë e dikujt që merr vendimet. Nuk e di nëse ekziston nga ana e disave dëshira për të vepruar dhe zgjidhur gjërat vetëm për dashurinë ndaj Interit.
Në një familje mund të ndodhin shumë gjëra. Të bukura dhe të shëmtuara. Dhe për dashuri mund të durosh shumë, gjithçka. Por nuk duhet të mungojë kurrë respekti. Këto janë vlerat e mia, këto janë vlerat për të cilat kam luftuar gjithmonë. Në historinë time. Tek Interi, me Interin.




