Llapi i bën nder Feronikelit, mposht Prishtinën
KF Llapi ka mundur skuadrën e Prishtinës me rezultat minimal 1:0 në kuadër të xhiros së 20-të të IPKO Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Xhengiz Rexhepi, që nga fillimi i ndeshjes ishte më e mirë, duke dominuar në posedim të topit dhe raste më të mira shënimi.
Në minutën në e 26-të sulmuesi i Llapit, Ahmed Januzi, rrezikoi me një goditje me kokë, por portieri i Prishtinës, Visar Bekaj intervenoi për mrekulli.
Januzi gjatë gjithë kohës ishte i mbuluar nga kapiteni i mysafirëve, Armend Dallku. Në minutën e 28-të situata u tensionua kur Januzi nuk ishte i kënaqur me ndërhyrjen e Dallkut, duke tentuar t’i sqarojë hesapet fizikisht. Dallku u ndëshkua me kartonin e parë të verdhë pas kësaj ndërhyrje.
Skuadra nga kryeqyteti rasti e vetëm në këtë pjesë e kishte në minutën e 30-të kur sulmuesi Basid Khalid tentoi, por që goditja e tij përfundoi jashtë portës së Eglant Haxho.
Pjesa e parë përfundoi baras pa gola.
Me fillim të pjesës së dytë, skuadra vendase arriti të kalojë në epërsi në minutën e 47-të.
Mesfushori Mentor Zhdrella asistoi për mrekulli sulmuesi Ahmed Januzi, i cili shënoi një gol mjaftë të bukur për rezultatin 1:0.
Pas këtij goli, futbollistët e Llapit shtuan sulmet në drejtim të portës së Bekaj.
Maksuti në minutën e 50-të shpërdoroi një rast të pastër për gol, duke gjuajtur mbi portë, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Januzi kishte mundësi të shënonte golin e dytë, por që zgjatja e tij nuk mjaftoi të dërgonte topin në rrjetë.
Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa bëri ndryshme në formacion, duke inkuadruar në lojë mesfushorët Mario Morina dhe Mustafa, por që nuk arritën të bëjnë ndonjë ndryshim në rezultat.
Në minutat e fundit të ndeshjes, Guthier Makenda pretendoi për një penallti por që gjyqtari kryesor i ndeshjes, Selim Isufi, nuk vendosi për penallti.
Futbollistët e Llapit nuk ishin të kënaqur me këtë simulim të Makendës, duke reaguar ashpër ndaj tij. Në mbrojtje të Makendës, doli kapiteni Armend Dallku, i cili u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë si rezultat i protestave.
Gjyqtari Isufi mbylli ndeshjen pas këtij incidenti.
Llapi me këtë fitoren renditet në pozitën e tretë 41, ndërsa Prishtian e dyta me 43 pikë, kurse Feronikeli është i qetë në krye me 48 pikë.



