Konfirmohet: Lirohen anëtarët e ‘Xhebrailave’, por kanë një mesazh për tifozët e basketbollit
Katër të arrestuarit që i përkisnin tifogrupit nga Suhareka, ‘Xhebrailat’ janë liruar pasi u mbajtën 48 orë në stacionin policor.
Këtë e ka konfirmuar njëri nga anëtarët e tifogrupit për Periskopin dhe ka thënë se të gjitha të liruarit janë në gjendje të mirë.
”Antarët tanë janë liru edhe janë në gjendje të mirë”, konfirmoi shkurt për Periskopi anëtari i ‘Xhebrailave’.

Mirëpo ai ka dashur edhe t’i qartësojë gjërat rreth incidentit që ndodhi në Rahovec. Së pari, ai tha se ata ishin duke luajtur kundër Prishtinës e jo Rahovecit.
Ndër të tjera, tifozi besnik nga Suharek thotë se ata nuk ishin nisur për të shkaktuar incidente, por thjesht për ta mbështetur skuadrën e tyre të zemrës. Por ai thotë se gjithçka nisi pasi u provokuan nga vendasit, ani pse nuk ishin duke luajtur kundër tyre.
”Rreth incidentit kisha me thanë që nuk e kem pasë menen me bo incidente se nuk kem pasë lojë me Rahovec, por masi e kërkun incidentitin, na i kallxum që i rrehum edhe në qytet të vetin”, deklaroi ai për Periskopin.
Kujtojmë se ndeshja në Kupën e Kosovës mes Yllit dhe Prishtinës u ndërpre për pak çaste në fundin e çerekut të tretë, pasi një tifoz në zonën ‘Vip’ tentoi të kapte transparentin e ‘Xhebrailave’, teksa këta të fundit reaguan brutalisht ndaj tij. Personi që ishte munduar ta kapte transparentin, i cili konsiderohet i shenjtë për tifozët, ishte nga Rahoveci, pasi ‘Final 8’ u mbajt në këtë qytet dhe dihej rivaliteti i tyre me tifozët nga Suhareka.
Katër të liruarit tashmë, u mbajtën në stacion policor për 48 orë pasi ushtruan dhunë. /Periskopi/



