Gola në fushë e spektakël në tribuna, por ‘Dardanët’ kësaj radhe nuk e nderuan legjendën si herave tjera
Kosova arriti një rezultat pozitiv kundër një skuadre të fortë si Danimarka duke barazuar 2-2 në stadiumin që mban emrin e legjendës, Fadil Vokrri
Në ndeshjet e luajtura në Prishtinë ishte bërë një lloj tradite që në minutën e 9-të të pranishmit në stadium të ngriteshin në këmbë për ta nderuar Fadil Vokrrin, por një gjë e tillë nuk ndodhi kundër Danimarkës.

Në ndeshjet e zhvilluara më herët në Prishtinë ndaj Ishujve Faroe, Maltës e Azerbajxhanit në minutën e 9-të të pranishmit ngriteshin në këmbë për ta duartrokitur ta madhin, Fadil Vokrrin, i cili u nda nga jeta më 9 qershor të vitit të kaluar.
Megjithatë, Dardanët ndoshta edhe nuk kanë faj për këtë lëshim që e bënë pasi një gjë e përçudshme ndodhi në stadium.
![]()
Semafori që tregon minutat e ndeshjes ishte jashtë funksionit dhe të pranishmit nuk mund ta shikonin ishin në dijeni se cila minutë e takimit po zhvillohej.
Por, edhe pse nuk e nderuan në minutën e 9-të sikur herave të tjera, ‘Dardanët’ në fund të pjesës së parë brohoritën disa herë emrin e Fadil Vokrrit.
Ndryshe, Kosova të hënën përsëri do të luajë në stadiumin Fadil Vokrri, kësaj radhe kundër Bullgarisë në kuadër të kualifikimeve për EURO2020. /PERISKOPI/



