A do t’i bëj Rita Ora të dhunuarat e luftës në Kosovë “të bëhen të forta e të pavarura” me 15 euro?
Ditë më parë u bë e ditur se këngëtarja britanike me origjinë kosovare, Rita Ora bashkë me një brend të njohur gjerman Escada u bënë bashkë për të filluar një kauzë të përbashkët: Modë për gra të forta e të pavarura për të ndihmuar gratë e tjera që të bëhen të forta e të pavarura.
Bamirësia e tillë mund të duket e pasherr, por nuk është më shumë se një tjetër shfrytëzim i dhimbjes, stigmatizimit dhe varfërisë së tjetrit, në këtë rast i grave që mbijetuan dhunën seksuale në luftën e Kosovës.
Pse?
Një çantë Escada që reklamohet nga Rita Ora do të kushtojë 1 mijë e 195 Dollarë. Dhe nga një shumë e tillë që do të shpenzojë ndonjë grua e pasur [pa dyshim, as e fortë dhe as e pavarur duke pasur nevojë që përmes një konsumerizmi të tillë të ndihet rehat e të kënaq ego-n] gratë kosovare do të përfitojnë veç 15 Euro [16,85 Dollarë], siç shkruan HollywoodReport, përcjell Periskopi.
Pa të keq, lind pyetja për përfitimet kolosale që do të marrë vetë Rita Ora nga një gjë e tillë.
Kjo shumë monetare ndjell paragjykimin për jetën shpërfillëse e të shfrenuar konsumeriste të grave ‘të forta e të pavarura’ si kontrast për jetën e varfër e të shpërfillur të grave të mbijetuara që po presin me ankth njohjen e statusit nga Qeveria e Kosovës, ku do t’i marrin 230 Euro në muaj.
Natyrisht, nga një bamirësi e tillë do të përfitojë edhe imazhi i Rita Orës dhe kompania në fjalë. Mund të përfitojnë edhe gratë e dhunuara, në varësi të shitjeve që do t’i ketë kjo çantë. Marrë parasysh çmimin, numri i njësive mund të jetë i limituar – e po njësoj, edhe ndihma financiare që do të shkojë për viktimat. Ama, ajo që është e sigurt është se duhet ta harrojnë që do të bëhen si në ‘kauzën’ e Ritës “gra të forta e të pavarura nga një ndihmë e tillë. /Periskopi



