Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë i shpëtoi zjarrit, por jo vendimit turpërues të Komunës
Por atë që nuk arriti ta bëjë zjarri, po dëshiron ta arrij Drejtoria për Inspeksion e Komunës së Mitrovicës, e udhëhequr nga drejtori Naim Hajra i LDK-së.
Kjo mund të shihet nga ky aktvendim i Drejtorisë së Inspeksionit, i cili është nxjerrë më datën 12.07.2016, shkruan Veriu.info.

Ky aktvendim është publikuar nga analisti Nexhmedin Spahiu, i cili në Facebook shkruan: “Ja kush po urdhëron rrënimin e shtëpisë së Xhafer Devës që është monument kulture i mbrojtur me ligj. Një urdhëresë e tillë është vepër penale por prokuroria akoma nuk ka reaguar”.
Përveç këtij statusi, Spahiu në diskutim me komentues thotë: “Tash po shihet kush qëndron pas zjarrvënies së paradokohshme. Kush tjetër pos mafisë së ndërtimit e cila nuk mund të funksionojë pa lidhje me ispektoriat e urbanizëm”.
Shtëpia e Xhafer Devës është nën mbrojtje, pasi që konsiderohet trashëgimi kulturore e Kosovës, gjë që mund të shihet edhe Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, shkruan Veriu.info
Kujtojmë se shtëpia e Xhafer Devës është e ndërtuar në qendër të qytetit, gjegjësisht në bërthamën e vjetër të qytetit të Mitrovicës, dhe atë mu pranë objekteve dhe institucioneve qendrore të qytetit. Shtëpia u ndërtua në vitin 1930. Shtëpia në fillim të ndërtimit kishte karakter banimi. Pas Luftës së Dytë Botërore, e tërë pasuria e Xhafer Devës ishte konfiskuar nga pushteti i kohës dhe kjo pronë kaloi në pronësi shoqërore. Pas konfiskimit, shtëpia shërbeu si ambulancë, e më vonë si strehimore për familjet e pastrehë. Shtëpia e lartpërmendur, është ndërtuar nga Xhafer Deva, njëri prej personaliteteve më të shquara të këtij rajoni. Xhafer Deva, luajti rol kyq në periudhën kohore 1941–1944, në organizimin dhe mbrojtjen e popullatës shqiptare. Gjatë një periudhe kohore Xhafer Deva ka mbajtur poste kyqe – ishte prefekt i Mitrovicës si dhe Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Shqiptare (1943/44). Pas lufte si i përndjekur nga pushteti, emigron në SHBA, ku edhe vdes (1978). Shtëpia ka destinim banimi dhe është me etazhitet B+P+2./Veriu.info/



