Deda: Haradinaj si ka dhënë ‘pesë pare’ për mendimet e askujt
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka listuar 24 vendime që janë marrë gjatë qeverisjes së tij dhe që, sipas tij, janë madhore për vendin.
Por, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, e sheh si populizëm.
“Nëse vitin e kaluar e kemi pasë listën me 400 vendime të dëmshme që i ka marrë qeverisja e Ramush Haradinajt, atëherë 24 as që i afrohen që të themi se ka qenë qeverisje e suksesshme”.
“Ramush Haradinaj ka qenë ndryshe në 100 ditëshin e parë kur ka qenë kryeministër. Ai ka qenë dinamik, bashkëpunues dhe është munduar të ndërtojë konsensus në tema të rëndësishme”.
“Ka qenë shumë më ndryshe në këtë qeverisje ku si ka dhënë ‘pesë pare’ për mendimet e askujt”.
“Kjo nuk është mënyra se si duhet të qeverisë një kryeministër. Nuk je ti i pari i shtetit dhe ekzistojnë disa rregulla që duhet të respektohen”.
“Nuk mund të thuash që je qeverisje e suksesshme kur rritet numri i njerëzve që largohen nga Kosova”.
Deda në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ndonëse nuk është pajtuar me qeverisjen e Ramush Haradinajt, është ndjerë keq pse ai është ftuar nga Gjykata Speciale.
“Nuk e kam parë vetëm si politikë. Kam ndjerë keqardhje të madhe për të dhe nuk më ka pëlqyer arsyeja pse ka dhënë dorëheqje. I kam uruar në rrafsh personal dinjitet dhe urtësi që të përballet me procesin ku është”.
“Politikisht nuk jam pajtuar me qeverisjen e Ramush Haradinajt dhe vendimet e tyre, përpos taksës”.



