Ndotja e sferës publike, Haki Abazi “i nëntokës”, krenaria që nxirret nga poshtërimi
Sot po i japim fund një jave tjetër që ia doli të na ndillte një lum ndjenjash të forta. Kosova luajti kundër Anglisë në futboll dhe pas pjesës së parë ishte duke u poshtëruar 5-1. Sfera publike u fëlliq sërish me sharje e ndoshta edhe rrahje. Por gjërat morën kthesë.
Të martën, kombëtarja e Kosovës në futboll luajti kundër Anglisë me një ecuri prej 15 ndeshjesh pa humbje. Por, të gjithë e dinim se humbja na priste. Anglia ishte në momentin më të mirë. E ne ishin në momentin më të keq – me mungesën e pesë lojtarëve.
Gjithçka nisi në mënyrë të ëndërrt, me presionin te pjesëfusha kundërshtare që rezultoi në gabimin e anglezëve dhe në golin e parë për Dardanët pas vetëm 34 sekondash.
Sidoqoftë, ajo që pasoi na e dëfteu pikat e dobëta në mënyrën më të keqe të mundshme. Një mesfushë që thjesht shëtitej në park. Dhe një mbrojtje lehtë e depërtueshme. Anglezët shënuan 5 herë brenda 45 minutash duke e shfrytëzuar keq-organizimin dhe lojën e dobët pozicionale të kosovarëve.
Por, në pjesën e dytë Anglia që kishte rezultatin hyri për t’i kursyer fuqitë. Dhe, Kosova ia doli të shënonte dy herë të tjera për të ngushtuar humbjen në 5-3.
Poshtërimi që dukej në horizont nuk u materializua dhe në një farë mase, Kosova ia doli ta ruante frymën pozitive ani që ecuria pa humbje mori fund.
Ndërkohë që në skenën tonë politike vazhdon të thellohet polarizimi. Lufta zhvillohet në disa fronte. Kemi një betejë të heshtur mes partive të deritashme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje për votuesit e pakënaqur. Më tej, beteja të ashiqarshme mes PDK-së dhe AAK-së për votuesit e kënaqur dhe zgjerim të klientelës. Si dhe, po ashtu betejën e vazhdueshme e të neveritshme mes Vetëvendosjes dhe PSD-së.
Gjatë kësaj jave kjo betejë u ashpërsua në përmasa të frikshme. Në një studio televizive Haki Abazi luftoi kundër Dardan Molliqajt. Dhe humbi. Molliqaj ia përmendi një varg gjërash shqetësuese, përfshirë padinë që e kishte bërë ndaj tij Avni Zogjani, një tjetër kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes. Po ashtu, ai tregoi dhe s’u kundërshtua lidhur me pushtetin e akumuluar prej tij gjatë kohës sa punonte në shoqëri civile, për të ndikuar në rrjedhën politike në vend. Ishte takuar me Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, Albin Kurtin, Shpend Ahmetin. Ndërkohë, në pamundësi që të mbrohej nga sulmet e Molliqajt, Abazi ia përmendi edhe gruan në një kontekst të papëlqyeshëm. Kjo duket se ishte shkaku i konfrontimit fizik mes tyre.
Sidoqoftë, siç ndodh rëndom, debati u përhap edhe në Facebook – dhe aktivistët vazhduan të shahen me gjuhë të turpshme.

Shihni më lart ndërkohë gjuhën e përdorur e një kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje që në një studio tjetër televizive u akuzua se kishte ngelur në shkollë të mesme dhe e pranoi se kishte abuzuar me paratë e kësaj partie.
Sidoqoftë, Kosovës një lajm i mirë i erdhi nga Twitter-i, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Donald Trump e shkarkoi sekretarin e Sigurisë Kombëtare të këtij vendi, z.John Bolton, që në fund të janarit 2008, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, argumentonte ashpër kundër një gjëje të tillë.



