Veseli: Partitë tjera u frikësuan nga pakti kundër korrupsionit – qytetarët po e përkrahin anekënd Kosovës
Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot qindra gra në qytetin e Mitrovicës ku ka shpalosur sot një pjesë të programit të tij për paktin e luftës kundër korrupsionit, çështjen e legalizimit të pronave dhe fuqizimin e rolit të grave nëpërmjet mbështetjes institucionale.
“Kam iniciuar paktin kundër korrupsionit dhe çështjen e legalizimit të pronave. Janë rreth 350 mijë prona të cilat janë në Republikën e Kosovës të pa legalizuara dhe të cilat nuk kanë fletë poseduese. Është një kapital prej 10 miliard eurosh që qëndron i bllokuar. Kjo do të jetë ajo që do të mundohem ta zgjidhë bashkërisht pas 6 tetorit. Nuk ka lider në Republikën e Kosovës, as nuk ka parti, dje as sot, po ju jap fjalën as nesër, që i veshë gratë më shumë me petkun e përgjegjësisë në institucionet e vendit, sesa PDK-ja”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së tha se koncepti i partisë së tij është shumë i qartë, një Kosovë euroatlantike dhe perëndimore, si dhe marrja e drejtpërdrejt me problemet me të cilat qytetarët janë ballafaquar deri tani.
Veseli tha se nuk mban inate personale me asnjërin që përpiqet për të mirën e vendit, ndërsa premtoi se do të vazhdojë paktin kundër korrupsionit së bashku me qytetarët, për shkak të një perspektive më të mirë për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.







