Lulëzon industria e mjaltës në Kosovë: Prodhohet edhe mjalta për qetësim të VV-së
Rrjetet sociale të Internetit në hapësirën shqiptare kanë shpërthyer në sarkazmë pas mjaltës së prodhuar nga një kompani vendore kundër “magjisë së zezë” dhe “shejtanëve”. Një varg mjaltash tjera që kryejnë funksione ‘të ngjashme’ nxorën krye, me këtë të fundit që po bëhet virale.
Po të ishte e vërtetë, ekonomia e vendit megjithatë do t’ia shihte hairin me zhvillimin e një industrie të madhe ushqimore që do të merrej me prodhim mjaltë.
“Mjaltë për kalim të pragut” – ishte njëra që i dedikohej koalicionit Nisma-AKR, e të cilët janë mbërthyer në dramën e pragut pasi i morën vetëm 4,98 për qind sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së. Ata ishin mangut vetëm për 133 vota, shkruan Periskopi.
Një tjetër mjaltë ishte edhe ajo për “me hi në rreth te Albi Mall”, i cili për çdo ditë po iu merr shumë kohë qytetarëve pas punimeve që po bëhen.
“Mjaltë për liberalizim vizash” është një tjetër.

Por, e fundit është bërë edhe më virale e që ka shkuar në adresë të Vetëvendosjes:
“Mjaltë për qetësimin e VV-së pas kalimit të pragut nga Nisma” – thuhet në të.
Periskopi raportoi që koalicioni Nisma-AKR pas vendimit të PZAP-it arriti që të kalonte pragun për 20 vota, ose t’i merrte 5,02 për qind. /Periskopi



