Trump thyen protokollin, i telefonon presidentes se Taivanit
Kjo është hera e parë në 4 dekada që një zyrtar i lartë amerikan zhvillon bisedë të drejtpërdrejtë me krerët e Taivanit ndërsa Kina e konsideron ishullin pjesë të saj.
Washington- Vendimi i presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për të shpërfillur protokollin shumë-vjeçar amerikan në lidhje me Taivanin, duke folur drejtëpërsëdrejti me presidenten taivaneze, mund të trondisë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës.
Që prej zgjedhjes së tij, muajin e kaluar, Pekini zyrtar është përpjekur të kuptojë cila do të jetë politika e Trump sa i përket Azisë dhe me shumë gjasa, një lëvizje e tillë mund t’i kthejë shqetësimet në alarm dhe zemëratë.
Në sytë e Kinës, Taivani është një provincë dhe mohimi i statusit të shtetit të pavarur, është një nga prioritetet kyçe në politikën e jashtme kineze.
Telefonata e pare pas 1979
Për 4 dekada, liderët amerikanë kanë respektuar linjat e Pekinit në mbylljen e hapësirave diplomatike për Taivanin, duke njohur kështu se ka vetëm “një Kinë”.
Por, biseda telefonike mes Trump dhe presidentes Tsai, është kontakti i parë mes një presidenti amerikan dhe një lideri taivanez, që kur Shtetet e Bashkuara prishën marrëdhëniet diplomatike me ishullin më 1979.
Sipas një deklarate të lëshuar pas bisedës telefonike, zyra e presidentit të zgjedhur tha se telefonata ishte bërë nga presidentja taivaneze dhe se mes vendeve ekzistojnë marrëdhënie të aftërta ekonomike, politike dhe sigurie.
Zyra e shtypit e presidentit të ri tha se Trump kishte përgëzuar presidenten Tsai për detyrën e re. Pas komenteve në media se kjo telefonatë do të shqetësonete Kinën, Trump u përgjigj në “Twitter”: SHBA i shet Taivanit miliarda dollarë armatime dhe unë nuk duhet të pranoj një telefonatë urimi!”
Ndëkorkohë Shtëpia e Bardhë në një reagim tha se biseda e Trump me lideren e Taivanit nuk mund të lexohet si një sinjal për ndryshimin e politikës amerikane.
Nga ana tjetër edhe vetë Kina nuk ka bërë komente negative për këtë zhvillim. Misnitri i Jashtëm kinez tha se biseda mes Trump dhe presidentes taivaneze ishte një “marifet i ulët i Taivanit dhe nuk do të kishte asnjë ndryshim në marrëdhëniet Kinë-SHBA. /Oranews.tv/



