PDK-ja thyhet në bosht

PDK-ja thyhet në bosht

Kandidati i saj për kryetar komune, Ramiz Lladrovci, nuk ka mundur të siguronte të dielën më shumë se 45.5 për qind të votave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky subjekt politik, që prejse është themeluar, ka siguruar në Drenas përqindjen më të lartë votash në nivel vendi, krahas komunës fqinje, Skenderajt. Madje, në disa zgjedhje ka prekur edhe 90- përqindëshin. Ndërkaq tani është mundur nga njerëz të vet e të cilët ishin në garë për të parin e komunës – asamblisti Xhavit Drenori, si kandidat i pavarur, siguroi rreth 12 për qind të votave, e ish-asamblisti i PDK-së, Elmi Thaçi, mbërriti në 7.3 për qind, duke garuar si kandidat i Aleancës Kosova e Re.

Në balotazh Lladrovci do të përballet me Isa Xhemajlajn e Nismës për Kosovën, i cili është radhitur i dyti në garë, duke siguruar mbi 26 për qind të votave. Në këtë garë ai kishte mbështetjen edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Mbi 5 për qind në këtë proces votimi i ka siguruar kandidati i Lidhjes Demokratike, Bedri Nika, ndërkaq Vehbi Berisha i Partisë Fjala ka siguruar rreth 3 për qind.

Vota arkëtuan edhe Naim Bazaj e Rrahim Elshani, edhe pse për veten nuk bënë asnjë ditë fushatë. Kjo pasi ata kishin vendosur të tërhiqeshin nga gara dhe ta përkrahnin Ramiz Lladrovcin. Meqë kërkesa për decertifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ishte bërë jashtë afatit ligjor, emrat e tyre ishin në fletëvotim. Kështu, Bazaj në zgjedhjet për kryetar të Drenasit arriti t’i marrë 24 vota, ndërkaq Rrahim Elshani 8 vota

Shpërndaje në: