Reagimi i heronjve kuqezi: Tani presim për kualifikimin

Reagimi i heronjve kuqezi: Tani presim për kualifikimin

Armando Sadiku

Është goli më i bukur dhe që më ka gëzuar më tepër në të gjithë karrierën. Nuk e pashë mirë që topi shkoi në rrjetë, sepse e devijova edhe rashë në tokë. Më pas pashë që të gjithë erdhën drejt meje dhe vetëm doja të shkoja te stoli e të festoja.

Ndjeva shumë besim sot, edhe pse isha pak i lodhur. Falënderoj trajnerin që më besoi dhe më aktivizoi për të tretën herë në lojë. Besoj që ia shpërbleva, fitoren ia dedikoj ekipit që dha 100 për qindëshin.

Kualifikimi? të Shpresojmë. Nuk varet nga ne. Do ti shohim ndeshjet e mbetura me ankth dhe të shpresojmë te ekipet e tjera, pasi kjo do të ishte diçka tejet speciale për të gjithë shqiptarët.

 

Etrit Berisha

Me siguri që e dinim se do të ishte një ndeshje mjaft e vështirë, por nuk kemi dhënë edhe më tepër se në ndeshjet e tjera. Por, ishim më të lirë psikologjikisht, pasi në ndeshjet e para kishim emocione. Prej fillimit të ndeshjes u ndjemë mirë dhe menduam vetëm fitoren.

Ekipi luajti prefekt. Edhe në ndeshje të tjera jemi paraqitur jashtëzakonisht mirë, por tashmë jemi rritur dita ditës. Jemi një skuadër shumë e mirë dhe shpresojmë të kualifikohemi dhe ti tregojmë cilësitë tona edhe më tepër.

Gabimi te goli me Zvicrës? Atë moment e kam kaluar. Të gjithë gabojnë dhe pas atij momenti mendoj se kam bërë paraqitje të mira dhe jam munduar ti jap shpresë skuadrës për të arritur rezultate. Ndeshja e dytë dhe kjo sfidë që fituam me Rumaninë ishte jashtëzakonisht e mirë, pasi edhe nuk pësuam. Shpresojmë ta fitojmë grupin, për të bërë surpriza të tjera.

 

 

Migjen Basha

Mirë që i morrëm këto tre pikë. Në ndeshjet me Zvicrën dhe Francën nuk kishim fat, por edhe kundër Rumanisë kishim  vështirësi. Ne pjesën e dytë kemi rrezikuar disi, por arritëm ta mbronim rezultatin. Tashmë shohim si do të mbyllen sfidat në ndeshjet e tjera dhe të shohim çfarë do të ndodhë.

Kemi festuar, por kemi frenuar edhe pak festën sepse duhet të presim rezultatet e tjera. Këto tre pikë na bëjnë krenar për veten dhe për tifozët që na kanë mbështetur shumë. Kemi festuar, por tashmë të shohim se çfarë ndodhë me shpresën se do të kualifikohemi.

E gjithë skuadra ka bërë një superndeshje. Gëzohem më tepër kur fiton skuadra sesa kur luaj vetë mirë. Kemi bërë diçka vërtetë të bukur. E gjithë shqiptaria është krenare me ne, për këtë që kemi bërë.

 

Arlind Ajeti

Pikë së pari kam luftuar për skuadrën, për të marrë këto tre pikë. Kemi pasur shumë dëshirë mos të iknim pa shënuar dhe pa marrë pikë në Kampionatin Europian dhe ia dolëm.

Kur jemi në avantazh është e vështirë ta ruash rezultatin, sepse edhe kundërshtari sulmoi sepse kërkoi kualifikimin, por kemi luajtur mirë, luftuam dhe mjaftoi për sfidën me Rumaninë.

Zëvendësimi i Canës? është një përgjegjësi shumë e madhe. është kapiteni i skuadrës, që ka derdhur djerrsë, ka luftuar për skuadrën për të arritur deri këtu. Jam i kënaqur që trajneri ma dha këtë mundësi.

 

Lorik Cana

Ka disa muaj që ekipi po gjen në çdo rol në fushë dublime dhe lojtarë të nivelit të lart. Është vetëm për tu përgëzuar. Kur luan në nivele të tilla të gjithë duan të japin kontributin e tyre dhe unë kam detyra si të jem në fushë, por edhe jashtë fushës për të motivuar djemtë.

Gjëja më e vështirë është kur njeriu e di që vjen në Europian për të dhënë një kontribut për skuadrën, pasi kjo fanellë ka peshë. Shpresojmë të kemi fatin me vete.

 

Ansi Agolli

Sot kemi bërë një ndeshje perfekte. Mund të kishim shënuar edhe një tjetër gol, që ishte i nevojshëm. Me kalimin e minutave na u rrit oreksi, por e rëndësishme është që në këtë Europian morëm një fitore shumë të bukur. Shpresojmë të kemi edhe pak fat dhe të vazhdojmë të qëndrojmë në Francë.

Pas ndeshjes isha te dhoma e anti-dopingut dhe nuk mora pjesë në festë. Mendoj se një pikë mund ta kishim marrë edhe më parë, por e rëndësishme është që e fituam një ndeshje.

Pavarësisht se u mundëm dy herë, kemi pasur edhe rastet tona. Me shumë besim dhe një punë të madhe psikologjike nga ana e trajnerit e gjetëm rezultatin tonë. Në Europian ndeshjet janë shumë afër dhe menjëherë duhet të mendosh për sfidën e radhës./sport.al/

 

Shpërndaje në: