Çka po ndodh me klubin e Trepçës?
Sidoqoftë, ky fakt nuk e shqetëson aspak kryetarin e klubit Nexhmedin Haxhiun, shkruan sot gazeta Zëri.
Madje, ai e ka ndërmend që vendorët t’i zëvendësojë me lojtarë të huaj, të cilët pritet të zbarkojnë në Mitrovicë gjatë këtyre muajve për ta bërë një skuadër më të fuqishme në pranverë.
“Ne ua kemi dhënë pa problem fletëlëshimin lojtarëve në fjalë”, tregon fillimisht “Nexhi” për “Zërin”, duke shpresuar që të mos largohen lojtarët tjerë të rëndësishëm pasi për dyshen në fjalë që u largua nuk e ka shumë problem.
“Ndërkohë, këto ditë do të vijnë dy lojtarë ganezë e një tjetër më vonë. Do t’i marrim edhe dy futbollistë kamerunas, një portier dhe një qendërmbrojtës, janë shumë të fortë, përfaqësues të këtij vendi”, vazhdoi Haxhiu.
Ai shpreson që ekipin ta udhëheqë edhe në pranverë trajneri Nazmi Rama, i cili e drejtoi skuadrën në pjesën më të madhe të vjeshtës, duke besuar se nuk do të jetë konflikt interesi fakti që është pjesë e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës.
Mbesim në Superligë
“Xehetarët” u rikthyen në elitën e futbollit kosovar pasi qëndruan një kohë në Ligën e Parë.
Megjithatë, për dallim nga kjo e fundit, ku ishin dominues absolutë sezonin e kaluar, në Superligë iu hasi “sharra në gozhdë” dhe nuk iu shkuan punët siç menduan.
Trepça e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e parafundit në tabelë, atë të 11-të me 12 pikë, duke regjistruar 2 fitore, 6 barazime e 9 humbje dhe u konsiderua si njëra prej skuadrave më të dobëta të Superligës, krahas Hajvalisë, e cila është e fundit në tabelë.
Mirëpo, Haxhiu është i bindur se gjiganti i futbollit kosovar do të vazhdojë të luajë në Superligë, me ndryshimet pozitive që do të bëhen gjatë dimrit në klubin mitrovicas shkruan Zëri.
“Ne erdhëm nga Liga e Parë dhe menduam se do ta kemi lehtë edhe në Superligë, por gabuam dhe në pranverë duhet të kemi qasje ndryshe. Ju siguroj 100 për qind se në pjesën e dytë të sezonit do të jemi shumë më të fortë. Synim yni do të jetë të mbesim në Superligë, pasi e dimë se sa e vështirë dhe e mundimshme është për një ekip të kthehet në këtë ligë nga Liga e Parë. Prandaj, besoj se do të mbetemi në këtë shoqëri”, ka përfunduar Haxhiu.
Pranvera do të jetë mjaft e nxehtë për shumë klube kosovarë, duke përfshirë këtu edhe Trepçën, të cilën e pret një mision i vështirë për të mbijetuar në Superligë.



