Kafiqat me ujë: Ushtria amerikane pranë largimit, Qeveria Kurti përforcohet me ish-in e Partisë së Fortë
Yll Rugova tashmë është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Po e përsërisim, Yll Rugova tashmë është emëruar zëvendësministër në MKRS.
Rugova më herët kishte qenë pjesë e Partisë së Fortë, dhe kishte arritur të bëhej asamblist në Komunën e Prishtinës duke garuar përmes partisë që drejtohej nga Visar Arifaj. Kjo parti tallte të gjitha partitë e skenës politike kosovare – dhe kësaj talljeje ia pa hairin Rugova, që para disa vitesh u bë serioz dhe kaloi në Vetëvendosje.
Dje, Rugova u emërua zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Por, cili ishte premtimi më i njohur i tij për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit?
Ujë nëpër kafene. Zoti Rugova kishte premtuar se Qeveria Kurti do të propozonte ligjin që do t’i oblignte kafenetë të sillnin ujë falas për klientët e tyre.
Në fakt, një praktikë të tillë mund ta hasim në zbatim në shumicën e kafeneve, por me ardhjen e Rugovës në pushtet si zëvendësministër, tashmë duket se të gjitha kafenetë dhe pijetoret do të detyrohen që të sjellin ujë falas kur myshterinjtë e tyre e kërkojnë, shkruan Periskopi.
Por, z.Rugova ka ngatërruar nevojat elementare të njerëzve. Në postimin e tij ai e ka cilësuar si “bazike” kohën që një qytetar i vendit e kalon në kafene duke e bërë bashkë me sloganin “erdhidita”.

Kjo nuk mund të jetë veçse një tallje e pavetëdijshme prej anës së tij dhe partisë së tij, pasi që dihet se një pjesë e madhe e njerëzve në Kosovë vuajnë nga varfëria e skajshme, dhe përballen me nevoja për strehë e ushqime. /Periskopi



