Genta Retkoceri, shpalosë shoqërinë shqiptare përmes shfaqjes “Being a controversy”, në Amerikë
Edhe pse ishte mjaft e suksesshme në skenën kosovare, ajo nuk u mjaftua me kaq. Ka goxha kohë, që aktorja e shumë projekteve teatrore e filmike Genta Retkoceri, po vazhdon karrierën e saj në Amerikë. Pas shumë projekteve teatrale që ka luajtur Genta, tashmë ajo ka krijuar një shfaqje të saj e cila do të jepet premierë sonte në Semel Theater në Boston, me titull “Being a controversy”.
Për gjithë shfaqjen që ka krijuar Genta, vetë ajo foli në një rrëfim për KultPlus, duke na shpalosur detaje mjaft interesante që do ti servohen mbrëmjen e së dielës publikut amerikan.
“Kam krijuar një shfaqje e cila është vetëm me një aktore e që në Amerikë quhet “One woman show”. Tekstin e kam shkruar vetë, ku kam paraqit pesë personazhe femra, shumë komplekse që tregojnë në një mënyrë ose në tjetrën shtypjen përgjatë historisë, prej traditave dhe prej stilit të jetës”, tha fillimisht Genta, e cila vazhdoj tutje të tregoj për aktet një e nga një.
“Akti i parë quhet “Morali i shoqërisë”, ku paraqet një amerikane që në vitin 1980-të, nis të intervistoj në Shqipëri një burrneshë, pastaj në 1990 ajo shkon në Boston e interviston një grua shqiptare që abuzon me alkoolin. Akti i dytë quhet “Ekstremet e kundërta”, ku ka më shumë projeksione, muzikë e vallëzim që vijnë nga dy motra që gjatë luftës në Kosovë kanë shkuar në Londër si refugjate. Në vitin 2014-të, kthehen në Kosovë ku me motrën e eksplorojnë homofobinë në vendin e tyre dhe jo vetëm”, tregoi rrëfimin e kësaj shfaqje aktorja Retkoceri.

Genta Retkoceri, përpos që ka shkruar shfaqjen, ajo vetë ka bërë regjinë dhe do të aktroj në të gjitha këto personazhe që ka paraqitur në skenar. Ndërsa muzika është e kompozuar nga Eck Sierra, ku sipas Gentës është muzikë elektronike e miksuar me këngën e Sali Manit. Por shfaqja e Gentës, do të ketë edhe disa persona të tjerë, që do bëjnë një punë të caktuar.
“Përveç ne dyve janë edhe pesë udhëheqës të cilët bisedojnë me shikuesit dhe i ftojnë që të jenë pjesë e shfaqjes. Kam pas dëshirë që kjo shfaqje të ketë diversitet kështu që, ata i takojnë moshave, racave dhe orientimeve të ndryshme seksuale, e poashtu e kemi edhe një bebe meqenëse njëra nga udhëheqëset është shtatzënë”, pohoi Genta.
Ky projekt sipas Genta Retkocerit, është bërë pa buxhet. Ajo tregoi se krejt çfarë i është dashur i ka huazuar nga Emerson Collage, e poashtu ajo tregoi se prapa saj ka pas një grup tejet të madh të njerëzve që i kanë ndihmuar.
“Being a controversy”, premierën do ta ketë sonte në Semel Theater me fillim nga ora 17:30, duke vazhduar me 17 dhjetor me reprizën e parë në Huret &Spector Gallery me fillim nga ora 19:00./KultPlus.com



