UEFA ‘dyshon’ se në Prishtinë po punohet sipas planit të saj
UEFA në muajin shtator, gjatë takimit me një delegacion të përbërë nga zyrtarë të MKRS-së, FFK-së dhe firmës projektuese të projektit për rinovimin e stadiumit, kishte sugjeruar palën kosovare edhe për disa punë shtesë në projekt, shkruan sot “Koha Ditore”.
UEFA kishte sugjeruar përfshirjen e ngrohjes nën tapetin e barit, kamerat e sigurisë, zërimin, lidhjen për transmetuesit televizivë, rrethojat e jashtme të stadiumit dhe hapjen e shtatë hyrje-daljeve të reja.
Pikërisht të hyrje-daljet e reja është fokusuar Marshall të hënën gjatë vizitës që i kishte bërë stadiumit të Prishtinës.
Zyrtarët e FFK-së kanë bërë të ditur se Marshall ka ardhur për të monitoruar nga afër gjendjen e stadiumit të Prishtinës dhe të shohë nëse sugjerimet e UEFA-s po zbatohen. Ai të martën (sot) do të largohet nga Kosova për të dhënë raportin e tij në UEFA në lidhje me punën që po bëhet për rinovimin e stadiumit të Prishtinës.



