I mbijetuari i Chapecoenses pa në ëndërr rrëzimin e avionit
24-vjeçari doli nga gjendja komes disa ditë pas aksidentit fatal në kodrat e qytetit kolumbian të Medellin ku skuadra braziliane do të luante ndeshjen e parë të finales së Kupës së Amerikës së Jugut ndaj Atletico Nacional.
Momente delikate për mjekët dhe të afërmit e tij menjëherë pas zgjimit nga gjumi i gjatë pasi pyetja e parë e futbollistit lidhej me finalen që nuk u luajt asnjëherë.
Pasi lojtari ka vënë re shenjat në trup ka kërkuar që t’i tregojnë të vërtetën dhe të mos përpiqen që ta gënjejnë. Mjekët morën një vendim ndoshta drastik, për t’i treguar gjithë të vërtetën se kishte ardhur momenti që pas zgjimit nga koma, Neto të mësonte gjithë të vërtetën dhe në prani të psikologut ai mësoi gjithë rrjedhën e ngjarjeve. Edhe pse të gjithë presin të mësojnë reagimin e lojtarit, askush nuk jep informacione për mënyrën sesi ai e përjetoi lajmin tragjik.
“Një natë më parë kishte parë ëndërr sikur avioni ishte rrëzuar. Orët e fundit vendosëm t’i tregonim të vërtetën, sepse kishte shumë plagë dhe po fillonte të dyshonte për diçka. Ramë dakord me psikologen dhe i folëm për dy orë. Ndoshta kur të mundet do t’ua thotë vetë, një ditë para katastrofës kishte parë ëndërr sikur avioni ku ndodhej po binte, aq sa i kishte thënë edhe gruas se nuk donte të udhëtonte.
Ankthi i tij u bë realitet. Tani mendon vetëm për këtë gjë sepse ankthi u bë realitet, por është djalosh i fortë dhe do ta marrë veten”, tregon Carlos Mendonca, mjeku i klubit, i cili kujdeset për të mbijetuarit.



