Historia elektorale e Avdullah Hotit: Si i arriti 115 mijë vota në kohën kur Osmani i mori 64 mijë
Avdullah Hoti tashmë është zyrtarisht i nominuari i LDK-së për kryeministër të ri të Kosovës. Por, cili ishte relacioni i z.Hoti me elektoratin kosovar?
Avdullah Hoti njihet si një ndër ekspertët më të mirë të ekonomisë në vend, dhe në Qeverinë Mustafa kishte shërbyer si ministër i Financave. Ai ishte vlerësuar si ministri më i mirë në këtë qeveri pas arritjes së një mori reformash politike e financiare për vendin.
Puna e mirë si ministër, bëri që z.Hoti të nominohej për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017.
Pikërisht në atë kohë, shpërtheu fenomeni “Vjosa Osmani” në LDK pas kundërshtimeve që i bënte presidentit Thaçi edhe pse nuk kisthe kryer asnjë punë qeveritare dhe nuk kishte shtyer përpara ndonjë politikë të caktuar.
Megjithatë, Avdullah Hoti pikërisht në ato zgjedhje kishte arritur që t’i fitonte 115 mijë e 693 vota, ose gati dyfish më shumë se Vjosa Osmani-Sadriu që i kishte marrë 64 mijë e 147, shkruan Periskopi.
Sidoqoftë, Hotin si kandidat për deputetë e kishte ndihmuar edhe kandidatura partiake për kryeministër.
Megjithatë, humbja në ato zgjedhje i kushtoi z.Hoti, ashtu siç i kushtoi edhe opozitarizmi gjatë viteve 2017-2019 ku shërbeu si shef i grupit parlamentar të kësaj partie.
Për shkak se nuk përdorte gjuhë populiste e fjalë të mëdha, Hoti në zgjedhjet e 6 tetorit u rendit vetëm deputeti i pestë më i votuar në LDK me 26 mijë e 94 vota.



