Latifi pretendon se Skënderbeu e mori emrin nga Dita e Shën Gjergjit, tregon porosinë e tij për Kurtin
Ish këshilltari i Kadri Veselit e Hashim Thaçit, Blerim Latifi, me anë të një statusi në Facebook ka përkujtuar heroin e popullit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeun.
Latifi mendon se Skënderbeu ka lindur më 6 maj, edhe pse nuk ka ndonjë të dhënë historike për një gjë të tillë. Më tej, ai pretendon edhe se Skënderbeut i ishte dhënë emri Gjergj për shkak të Ditës së Shën Gjergjit.
Filozofi ka thurur elozhe për veprën e heroit kombëtar të shqiptarëve, duke thënë që “ishte aq i pathyeshëm në beteja dhe për këtë e krahasuan me Aleksandrin e Madh”.
Sidoqoftë, Latifi e ndërlidh veprën e heroit mesjetar edhe me ditët e sotme dhe duket se ka një porosi për kryeministrin Albin Kurti që po akuzohet si antiamerikan.
“Ai (Skënderbeu) i bëri shqiptarët popull historik, duke u lënë trashëgimi besimin se e vetmja rrugë e tyre është ajo e civilizimit perëndimor.” – thotë z.Latifi .
Statusi i plotë:
Ai u lind me 6 Maj, në Ditën e Shën Gjergjit, prandaj i dhanë emrin Gjergj. Ishte aq i pathyeshëm në beteja dhe për këtë e krahasuan me Aleksandrin e Madh. 25 vite ishte tmerri i osmanëve, të cilët, pas vdekjes, ia morën eshtrat për t’i mbajtur si hajmali të fatit; ata luteshin para eshtrave të tij. Ai i bëri shqiptarët popull historik, duke u lënë trashëgimi besimin se e vetmja rrugë e tyre është ajo e civilizimit perëndimor. Sot historianët ndërkombëtarë e rendisin në mesin e 100 gjeneralëve më të mëdhenj të historisë botërore.



