Hulumtimi i Periskopit mbi biznesmenin e afërt me VV-në që trazoi policin e Kosovës

Hulumtimi i Periskopit mbi biznesmenin e afërt me VV-në që trazoi policin e Kosovës

E diela e kaluar ishte edhe më e zymtë për kosovarët që vazhdojnë të mbeten nëpër karantina me të drejtat e shkelura në emër të luftës kundër përhapjes së infeksioneve me koronavirus.

Kjo pasi një i ri 25 vjeçar nga Gjilani i dha fund jetës në Qendrën Studentore ku po qëndronte i karantinuar kundër vullnetit të tij.

Emri i tij ishte Agon Musliu. Ai u kthye nga Gjermania ku po studionte në një aeroplan me 147 persona të tjerë. Për fat të keq, ai ishte mes 9 personave nga këta 147 që do të përjetonte fatin e karantinimit të detyrueshëm ani pse kishte probleme shëndetësore në mëlçi dhe kishte shfaqur menjëherë shenja depresioni.

Ai u hodh nga kati i katërt i njërit prej konvikteve duke i dhënë fund jetës së tij të re, por duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi keqmenaxhimin e situatës me koronavirus nga Ministria e Shëndetësisë (MSh).

Pse u liruan personat e tjerë por jo edhe Agon Musliu që vuante seriozisht nga depresioni dhe problemet shëndetësore?

Ai ishte mes 1 mijë personave tjerë që qëndroi në karantinë të detyrueshme të konvikteve, megjithëse një gjë e tillë siç u tha nuk kishte as bazë shkencore dhe binte ndesh me ligjin.

Askush deri tash nuk mori as përgjegjësi morale e as penale për vdekjen e Agonit.

U raportua se mes atyre që po liroheshin nga ajo karantinë , kishte edhe njerëz të afërt me zyrtarët shtetërorë, apo edhe me partinë politike në pushtet.

Periskopi ishte duke e hulumtuar një prej rasteve ku dyshohej se mund të ishte përdorur afërsia me Vetëvendosjen për të ndikuar në lirimin nga karantina të një personi të kthyer. Dhe ky hulumtim ishte ndërprerë nga një zyrtar policor i Njësisë së Hetimeve në Gjilan që i tha gazetares tonë, Yllka Ahmetxhekajt, se “kishte kryer vepër penale”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar këtë rast ndërkohë që përkundër përpjekjeve ende nuk është kuptuar emri i zyrtarit policor dhe as e vërteta mbi atë “vepër penale”.

Hulumtimi bënte fjalë për të bijën e biznesmenit gjilanas Njazi Osmanit, për të cilin mediat tjera tashmë kanë pretenduar se edhe pse kishte ardhur nga jashtë vendit nuk kishte qëndruar në karantinë.

Pretendimi thotë se lirimi i Sh.O.S.-së nga karantina ishte bërë për t’i kthyer favorin këtij biznesmeni i cili kishte mbështetur financiarisht Lëvizjen Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit që u mbajtën në vend.

Pa paragjykuar për vërtetësinë apo mosvërtetësinë e pretendimit, Periskopi kishte kontaktuar biznesmenin Osmani, i cili e kishte mohuar që e bija e tij të kishte qëndruar në karantinën e Qendrës së Studentëve.

“Jo, nuk është e vërtetë që vajza ime ka qëndruar në karantinë, sepse nuk ka udhëtuar jashtë vendit që më pas të karantinohej aty. Nëse dëshironi ua japë edhe numrin e vajzës, mund të flisni vet më të” – i ka thënë Osmani Periskopit për t’i dhënë më pas numrin e të bijës.

Ne më pas kontaktuam edhe me zonjën në fjalë, Sh.O.S. që ta pyesnim për çështjen në fjalë. Edhe ajo e mohoi kategorikisht se kishte qenë e karantinuar.

“Jo nuk është e vërtetë që kam qëndruar në konvikt. Unë që nga fillimi i pandemisë kam qëndruar në shtëpi, duke dalë vetëm në orarin e caktuar“, kishte thënë ajo.

Kaq kishte mjaftuar që zyrtari policor, pa u prezantuar fare të bënte thirrjen shqetësuese ndaj gazetares duke e pyetur në mënyrë intimiduese për vendin e punës, adresën e vendit të punës si dhe vendlindjen e saj. Më pas ai deklaroi se kishte pranuar një shqetësim nga një qytetare gjilanase lidhur me pyetjet që gazetarja ia kishte parashtruar. Ai më pas i kërkoi gazetares burimin e informacionit, dhe shpalli se ajo kishte kryer “vepër penale” pa i shpjegohej se për çfarë vepre penale bëhej fjalë.

Periskopi ka kërkuar të kuptojë edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme (e udhëhequr nga Xhelal Sveçla si ushtrues detyre në detyrë) nëse zonja në fjalë kishte udhëtuar gjatë kësaj periudhe por deri më tash nuk ka marrë përgjigjje.

Rasti i saj është përmendur edhe nga medie të tjera, ku raportohet për keqmenaxhimin e karantinës te konviktet dhe dallaveret e ndryshme që kishin ndodhur aty.

Pse kjo do të kishte rëndësi?

Pretendimi se e vajza e një biznesmeni të afërt me Vetëvendosjen është liruar në mënyrë të padrejtë nga karantina e konvikteve do të përshfaqte edhe më qartë padrejtësitë me të cilat u përball i riu Agon Musliu menjëherë pas kthimit të tij nga Gjermania për në Kosovë.

Evidentimi i padrejtësive të tjera te konviktet është detyrim i secilit gazetar që kërkon trajtim të barabartë të qytetarëve dhe më specifikisht drejtësi të plotë për Agon Musliun. /Periskopi

Shpërndaje në: