Samiti i Liderëve të BE-së, thirrje për mbrojtjen e civilëve në Aleppo
Liderët e shteteve evropiane janë mbledhur për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi, sigurinë, Marrëveshjen e Partneritetit BE-Ukrainë, si dhe çështje në lidhje me Rusinë, Sirinë dhe Brexitin, raporton AA.
Në samitin e liderëve që mbahet në ndërtesën e Këshillit Evropian fillimisht do të bisedohet në lidhje me migrimin. Në këtë drejtim, temë diskutimi do të jetë marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë e arritur më 18 mars.
Sipas draftit, në konkluzionin në lidhje me këtë çështje do të theksohet se “Këshilli Evropian ripërtërin detyrimin ndaj marrëveshjes BE-Turqi dhe nënvizon rëndësinë e zbatimit të të gjitha pikave pa dallim.”
Ndërkaq, në samit nuk do të diskutohet në lidhje me negociatat për anëtarësimin e Turqisë. Po ashtu, nuk do të përmendet edhe rekomandimi i Parlamentit Evropian për “pezullimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë”.
Në lidhje me migrimin në veçanti do të diskutohet për bashkëpunimin me shtetet e Afrikës. Për parandalimin e valës së migrimit pritet miratimi i ndihmës prej 610 milionë eurosh për Nigerin dhe hapja e rrugës për arritjen e marrëveshjeve të ngjashme me Etiopinë, Malin, Nigerinë dhe Senegalin.
Sa u përket marrëdhënieve të jashtme, temë diskutimi do të jetë Marrëveshja e Partneritetit BE-Ukrainë, Rusia dhe Siria. Liderët do të përpiqen ta bindin Holandën për futjen në fuqi të marrëveshjes për Ukrainën.
Çështja e Rusisë posaçërisht do të futet në diskutim në kuadër të Ukrainës. BE, e cila vazhdon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë, problemeve në Donbas në lindje të vendit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Minskut, nuk do të marrë vendim për sanksione për sulmet ruse në Siri.
Do të dënohen Siria dhe Rusia
Pritet që liderët të shfaqin reagimet e tyre për Sirinë. Sipas draftit, në konkluzion do të theksohet se “Këshilli Evropian dënon ashpër sulmet e vazhdueshme në Aleppo nga regjimi i Sirisë dhe aleatët e tij, veçanërisht Rusia, dhe shënjestrimin e qëllimtë të civilëve dhe spitaleve.” Në konkluzion po ashtu do të bëhet thirrje për evakuimin e civilëve dhe largimin e bllokadës. “Ata që shkelin ligjet ndërkombëtare me krime të mundshme lufte do të japin llogari”, do të thuhet në konkluzion.
Situata në Aleppo
Si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit, çështja e Sirisë do të jetë pikë e rëndësishme diskutimi në Samit. Duke folur në hyrje të ndërtesës së Këshillit Evropian, presidenti francez Francois Hollande bëri thirrje për armëpushim në Aleppo për evakuimin e civilëve dhe të plagosurve.
Duke folur për sigurinë e civilëve Hollande tha se “Kusht i kësaj është të arrihet armëpushim. Ajo që Këshilli Evropian duhet të kërkojë është armëpushimi, evakuimi i të gjithë civilëve dhe më në fund dialogu politik. Evropa duhet të mundësojë që t’i dëgjohet zëri.”
I pyetur se a do të arrijë BE marrëveshje për çështjen e Sirisë, Hollande tha se “Nëse 28 shtete nuk mund të arrijnë marrëveshje për një problem dhe nuk mund ta dënojnë një masakër, atëherë pse kemi union prej 28 shteteve.”
“Populli i Aleppos nuk ka nevojë për fjalë dhembshurie”
Para samitit, kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk u takua me kryetarin e bashkisë së Halepit pranë qeverisë së përkohshme të Sirisë, Brita Hagi Hassan. Në deklaratën pas takimit, Tusk theksoi se nuk ka gjë për të shtuar ndaj gjërave që janë thënë dhe janë shkruar deri më tani për tragjedinë që po përjetohet në Aleppo.
“Jam i sigurt se populli i Aleppos nuk ka nevojë për fjalë dhembshurie. E vetmja gjë për të cilën sot ka nevojë është një mbrojtje e vërtetë efikase dhe ndihmë për civilët”, theksoi Tusk.
“50 mijë persona presin vdekjen në Aleppin lindor”
Hassan, nga ana tjetër, tha se “50 mijë persona presin vdekjen në Aleppin lindor. Presim qëndrim të fortë nga BE-ja për shpëtimin e civilëve. Kërkoj që kjo të bëhet larg vlerësimeve politike. Gjëja e vetme që duam është armëpushimi.”
“Janë plotësisht të papranueshme gjërat që u bëhen civilëve në Siri”
Ndërkohë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, theksoi se vazhdojnë të punojnë për mbrojtjen e civilëve në Aleppin lindor. “Për mbrojtjen e civilëve në Siri është e nevojshme që Rusia dhe Irani t’i plotësojnë detyrimet e tyre. Për ne janë plotësisht të papranueshme gjërat që u bëhen civilëve në Siri. Prioritet i yni është mbrojtja e civilëve”, tha Mogherini.
Duke theksuar se për gjendjen në Siri përgjegjës direkt janë regjimi dhe aleatët e tij Rusia dhe Irani, Mogherini tha se e ndjekin nga afër gjendjen e civilëve në rajonet e bllokuara në Siri, me në krye Aleppon.
Temë tjetër që do të diskutohet në samit do të jetë edhe largimi i Britanisë nga BE-ja (Brexit). Liderët do të vlerësojnë procesin në periudhën para kryeministres Theresa May dhe hapat që do të hidhen tutje.
Po ashtu, lideri i Qipros Greke Nikos Anastasiadis do t’i informojë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së për zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e Qipros.



