Mustafa në interpelancë për Ligjin e Sigurimeve shëndetësore (Dokument)
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dorëzuar sot në Kuvend mocionin përmbajtësor, Interpelancë me kryeministrin Isa Mustafa në lidhje me Përgjegjësinë mbi Ligjin e Sigurimeve shëndetësore në Republikën e Kosovës.
“Në kushtet kur Kosova është vendi më i varfër në Evropë, me jetëgjatësinë mesatare më të ulët në Evropë, me investimin më të ulët në sektorin shëndetësor në raport me BPV, si dhe i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore, qasja joserioze jo vetëm që nuk siguron të drejtën elementare për të marrë shërbime shëndetësore (që bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut ), por varfëron akoma më shumë popullatën edhe ashtu të varfër, duke pasur impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit”, thuhet në kërkesën e VV-së për interpelancë.
“Për këto arsye Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i propozon Kuvendit të Kosovës për miratim këtë mocion përmbajtësor:
Në mbështetje të Nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6.1 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare të mbajtur më _________ 2016, miraton këtë:
R E Z O L U T Ë
1. Hetimi institucional dhe auditimi mbi fondet e shpenzuara deri më tani për Sistemin Informativ Shëndetësor.
2. Funksionalizimi dhe shtrirja e plotë e Sistemit Informativ Shëndetësor me plan e kalendar publik.
3. Raportimi në Kuvend mbi rezultatet e shtrirjes së Sistemit Informativ Shëndetësor në të gjitha nivelet e shëndetësisë.
4. Anulimi i vendimit të paligjshëm të Qeverisë për mbledhjen e premiumeve nga Janari 2017.
5. Plotësimi i parakushteve të sanksionuara në Ligjin për Sigurimet Shëndetësore para fillimit të mbledhjes së premiumeve.
6. Publikimi i dokumenteve paraprake me qëllim informimin e publikut mbi çmimoren, kategoritë që përfshihen në pagesa dhe ata që përjashtohen.
/Periskopi/




