Flasin bixhozxhinjt: Varfërimi pas idesë së pasurimit brenda natës
Prandaj, shumë qytetarë, bixhozin e shohin si një mënyrë të shpejtë të fitimit të parave dhe pasurimit. Fitorja eventuale, qoftë edhe e një shume të vogël, nxitë dëshirën për të luajtur. Nuk përjashtohet mundësia që të fitosh përsëri. Dhe përsëri.
Derisa vjen një moment kur fati të kthen shpinën. Kjo është historia e dy personave, të cilët kanë folur për televizionin publik, për varësinë e tyre ndaj lojërave të fatit.
“Humbja ma e madhe për mu ka qenë kur kam fitu. Kur kom fitu unë qajo u kanë humbja ma e madhe. Pse? Se kom kujtu që gjithë shkon qashtu. I shti pesë euro edhe i fitoj 50 ose 100. Po ma n’fund jom mvarë prej tyre edhe nuk ish kanë ashtu. Domethënë sa herë kom shku, kom hupë”, ka thënë njëri nga këta dy personat për RTK-në. Ata kanë humbur gjithçka.
Thonë se lojërat e fatit kanë bërë që ata ta shkatërrojnë edhe familjen dhe rrethin e tyre.
“Shumë keq ka ndiku, p.sh. une ka bo vaki që kom punu ndërtimtari 15 orë, mas asaj n’vend se me shku me ble diçka për familje jom shku drejt n’Kazino. E kur kom humb, fmija edhe gruja kanë pritë që po çoj gjana elementare për shpi. Me atëfarë nervoze me atë problem jom shku n’shpi. Edhe kom bo problem te gruja, te fmija saqë ma ka pru punën te ndarja me gru edhe prishja e familjes komplet”, vazhdon rrëfimin e tij ky person.
Edhe personi tjetër ka treguar se si e ka dëmtuar familjen e tij, duke ndjekur dëshirën që të pasurohet brenda natës.
“Jam shku kamë punu, ni pagë ditore edhe nqofse i kom marrë 10 euro 20 euro, në mbrëmje jom shku edhe me shpresë që po fitoj edhe i kom hupë edhe ato edhe jom metë keq edhe për veti. Kështu që ka ndiku edhe n’familje. Humbjet e tyre janë të mëdha. “Prej se luj unë, me i thanë dikuj nuk beson, saqë kushedin për çfarë rasti nuk kisha mujt me i mbledhë sa i kom tubu për kazino. Që i bjen domethënë dikun rreth 800 mijë euro”, shton ai.
Lojëra fati gjen pothuajse në çdo lagje të Kosovës. Në to çdo ditë hyjnë e dalin persona të prekur nga sëmundja e pasionit për t’u pasuruar brenda natës. Janë mijëra qytetarë që sillen rreth këtyre lojërave me shpresën se do të gjejnë fatin e tyre. Por, kjo pritje e tyre u kthehet në një grackë të madhe ekonomike e sociale, që rëndon direkt mbi familjet e tyre.



