Feraj i VV-së e bën “për pesë pare” presidentin amerikan Donald Trump
Anëtari i Vetëvendosjes nga Shqipëria, Hysamedin Feraj, e ka bërë një shkrim të gjatë duke e denoncuar ashpër rolin e administratës së Donald Trumpit në botë.
Ai ka bërë një varg krahasimesh tepër të thjeshtëzuara duke pretenduar se si presidenti aktual amerikan Donald Trump po rrënon trashëgiminë e presidentëve të mëparshëm republikanë e demokratë.
Në fakt, presidenti Trump gëzon një mbështetje tepër të lartë mes partisë së tij ndërkohë që zgjedhjet e kaluara i fitoi bindshëm ndaj kandidates demokrate Hillary Clinton, përcjell Periskopi.
Ndër tjerash, Trump akuzohet për lidhjen e tij me Rusinë e me Korenë e Veriut ndërkohë që marrëveshjet ndërkombëtare me të dyja këto vende janë bërë vazhdimisht edhe nga presidentët e kaluar të ShBA-ve.
Këtë postim tendencioz e ka shpërndarë edhe këshilltari politik i ish kryeministrit Kurti, Elvis Hoxha, e prej të cilit po e shpërndajmë për lexuesit tanë.
Ai e ka cilësuar shkrimin si një “krahasim të shkëlqyer”.
Të kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje është akuzuar vazhdimisht për anti-amerikanizëm nga partitë e tjera politike në Kosovë, e sidomos nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Statusi i plotë:
Që LDK-ja e Agim Veliut është proamerikane, këtë e mora vesh. Por a mund të më thotë dikush se cili prej amerikanëve në trajtesën që vijon është pro-amerikan:
Krahasim i shkëlqyer prej Hysamedin Ferajt:
Risia Donald Trump
Përmbysja e trashigimisë amerikane:
Ajo trashëgimi amerikane që kërkon ta përmbysë Trumpi është si ajo republikane ashtu dhe ajo demokrate:
I.
Në Kosovë:
- Të George H.W. Bushit:
Bushi, i vjetri, i vendosi Serbisë vija të kuqe në mbrotje të Kosovës; kur i shkeli, i vendosi sanksione Serbisë;
Trump i vendosi Kosovës vija të kuqe në mbrotje të Serbisë; kur i shkeli i vendosi sanksione Kosovës;
- Të Clintonit:
Clintoni urdhëroi ndërhyrjen e armatosur të NATO-s kundër Serbisë;
Trump ka shumë gjasë t’i ketë kërkuar falje Serbisë për ndërhyrjen e NATO-s, ndonëse kur gjeti kundërshtim të gjerë kudo, e mohoi. Politika e sotme e tij ndaj Kosovës bën të besueshme “rrenën serbe”.
- Të George W. Bush:
Bushi, i riu, shpalli nga Shqipëria de facto pavarësinë e Kosovës nga pozicioni i SHBA-së;
Trump ndonëse ende jo de jure, de facto nuk po i njeh Kosovës të drejtat ndërkombëtare që i takojnë shtetit sovran, siç e ka njohur SHBA para Trumpit;
II.
Në botë:
- Të Reaganit:
– Reagan e mendonte për rival kryesor në sistemin politik botëror Bashkimin Sovjektik të dominuar nga Rusia (“perandoria e së keqes”);
Trump e mendon Rusinë aleatin kryesor kundër Kinës dhe Bashkimit Europian;
– Reagani e përforcoi NATO-n me programin e “luftës së yjeve” ndaj rivalit rus;
Trumpi po e dobëson NATO-n bash siç i pëlqen Rusisë;
– Reagani i kërkoj Rusisë të shembë Murin e Berlinit, e kështu i hapi rrugën bashkimit të Gjermanisë;
Trumpi i kërkoi aleancë Putinit kundër Gjermanisë sepse i kujtoka Hitlerin! Putini iu përgjigj duke ia kujtuar bashkëpunimin e hershëm të Roosevletit me Stalinin si shëmbëlltyrë për atë të sotmin ndërmjet Trumpit me Putinin;
- Të George H.W. Bushit (1989 – 1993):
– Bushi, i vjetri, synoi të kap rastin e rënies së BS për krijimin e një sistemi ndërkombëtar unipolar me SHBA-në si fuqia e vetme më e madhe;
Trumpi ringjalli teorinë maoiste të tri botëve:
Bota e parë: SHBA dhe Rusia;
Bota e dytë: BE dhe veçanërisht Gjermania;
Bota e tretë: Kina.
Po sipas Maos, Trumpi e përfytyron botën e parë në luftë kundër botës së dytë e të tretë, ose anasjelltas, ndarje që ndoshta çon në aleancën e botës së dytë e të tretë kundër të parës, saktësisht siç thoshte Mao.
– Bushi, i vjetri, në fillim të ’90 u gjend në krah të Kuvajtit, aleatit shumëvjeçar të SHBA-së, kundër Irakut, aleatit shumëvjeçar të Rusisë;
Trumpi në fund të vitit 2018 vendosi braktisjen e aleatëve të vetë shumëvjeçarë në fushëbetejën e Sirisë për ta lënë të qetë në pushtet aleatin shumëvjeçar të Rusisë;
- Të Clintonit:
Clintoni e kërkoi dhe e realizoi ndërhyrjen e armatosur të NATO-s kundër ushtrisë gjenocidale të Serbisë, e njohur si ushtari i Rusisë në Europën Juglindore, dhe e zgjeroi e përforcoi në Europën qendrore e Lindore.
Trumpi, siç e thamë, po e dobëson NATO-n saktësisht siç e dëshiron Russia dhe Putini;
- Të George W. Bushit:
Bushi, i riu, e klasifikoi Korenë e Veriut, atë aleat shumëvjeçar të Rusisë, në “boshtin e së keqes”;
Trumpi i ofroi Koresë së Veriut miqësinë e tij dhe diktatorin Kim Jong-un e quan “miku im” (my friend”).
III.
Qëndrimi pro-rus i Trumpit është rezultat i përfytyrimit prej tij të situatës së botës dhe vendit të SHBA-së në të:
Për neoliberalët si Trumpi, ashtu si për marksistët, vendimtare është ekonomia, dhe brenda saj prodhimi. Kina dhe BE janë konkurentët kryesor ekonomikë ndaj SHBA-sët sepse janë prodhues të mëdhenj dhe fuqi ekonomike. Rusia, e shikuar ekonomikisht, nuk është rival ekonomik i SHBA-së sa BE dhe Kina. Prandaj, sipas besimeve të tij “ideologjikë”, me të drejtë, përTrumpin Rusia nuk është rrezik për SHBA-në dhe, përkundrazi, mund të përdoret si aleat për dobësimin e BE dhe të Kinës.
Mirëpo si biznismen, Trump nuk e njeh as Rusinë dhe as Putinin. Fuqia e Rusisë dhe rivaliteti i fuqishëm për shumë shekuj i saj në sistemin politik botëror asnjëherë nuk është mbështetur në fuqinë e saj ekonomike, por atë shtetërore. As marksizmi rus, sipas leninizmit, nuk i njeh rolin vendimtar ekonomisë por, përkundrazi, shtetit dhe partisë i njeh rolin vendimtar ndaj ekonomisë dhe për ndërtimin e saj. Prandaj, pikërisht pse Putini vjen nga ai regjim, fuqinë e Rusisë në sistemin politik ndërkombëtar nuk e mbështet aq në ekonominë sa në fuqinë e saj si shtet. Me durimin karakteristik rus, shtetari Putini mund të presë veç çastin e duhur për me i dhënë SHBA-së kundërgoditjen e papritur, të cilën nuk mundet ta kuptojë biznismeni Trump.
Atë e kuptojnë si republikanët, si demokratët shtetarë amerikanë. Prandaj kundër “poltikës” së Trumpit në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkohen si Bushët ashtu dhe Clintonët, si republikanët ashtu dhe demokratët, si të djathtët ashtu dhe të majtët.
V.
Disa shqiptarë kanë besuar se Trumpi është nacionalist amerikan, dhe kanë shpresuar se, si i tillë, do të jetë kundër Rusisë e në favor të nacionalizmit shqiptar. Me sa duket kanë menduar gabimisht se çdo nacionalizëm në botë është antirus! Sigurisht ky është përfundim i nxituar dhe i shkurtër, siç do të emërtohej mes gabimeve logjikë. Ndërkaq, nga përvoja mund të dijmë se territoret shqiptare janë copëtuar pikërisht në epokën e Europës së kombeve (“L’Europe des nations”), siç u quajt shekulli XIX dhe fillimi i shek. XX për Europën, por kur shumë kombe të mëdha u bënë me Rusinë e Serbinë kundër nesh.
Njësoj si Franca atëherë, Trumpi sot e shikon Rusinë si aleat të nacionalizmit amerikan kundër BE, veçanërisht kundër Gjermanisë dhe Kinës. Dhe, ashtu si Franca, është e kuptueshme dhe e pritshme, që pikërisht pse nacionalist amerikan, Trumpi të bashkohet me Rusinë e aleatët e saj, mes të cilëve Serbia, kundër interesave tona kombëtare që janë të determinuara me qenë antiruse.
V.
Siç shihet, dhe siç po e shohin të shqetësuara elitat tradicionale amerikane, Trumpi e ka përmbysur SHBA-në.
E tani, për “pro-amerikanët” e pakushtëzuar shqiptarë shtrohen pyetje:
Me cilën Amerikë janë? Me atë të Bushit dhe të Clintonit (madje të Reaganit)? Apo me të Trumpit që kërkon të zhbëjë trashëgiminë e tyre?
Në trashëgiminë e tyre është rënia e Rusisë (Reagan), çlirimi i Kosovës (Clinton), dhe pavarësia e Kosovës (Bush). Prandaj, si pro-trumpistë, pro-amerikanëve të sotëm shqiptarë iu kërkohet të zhbëjnë këtë trashëgimi: rënien e komunizmit rus, çlirimin, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Vërtetë këtë po bëjnë.
(P.S.: për secilën prej pikave të mësipërme mund të jepen citate e referenca “pa fund”, nga politikanë dhe studuies me famë botërore, por ky nuk është veçse “abstrakti” i një artikulli shkencor).



