A bëhet Ronaldo më i miri në histori nëse fiton sonte?
Cristiano Ronaldo është 33 vjeçar, dhe ka fituar thuaj gjithçka që mund të fitohet në futboll. Premier Ligën tri herë rresht me Manchester Unitedin. Kupën FA në vitin 2004. Ligën e Kampionëve me ekipin e Fergusonit në vitin 2008, dhe disa trofe tjerë më të parëndësishëm, raporton Periskopi.
Me Real Madridin, në këto nëntë vite, ai e ka fituar La Ligën vetëm dy herë: në vitin 2012 dhe në vitin 2017. Kupën e Mbretit poashtu dy herë, në vitin 2011 dhe 2014. Por, Ligën e Kampionëve e ka fituar tri herë, që është arritja më e madhe, në vitin 2014, 2016 dhe 2017.
Ronaldo ka qenë i suksesshëm edhe në nivelin e kombëtareve, duke e fituar Kampionatin Evropian në vitin 2016.
Ai e ka fituar Topin e Artë, një shpërblim i dhënë nga FIFA, pesë herë. Ndërkohë që ka fituar edhe dhjetëra çmime të tjera individuale.
Fitorja e sontme në Ligën e Kampionëve do t’ia garantonte atij vendin si një prej më të mirëve në histori të këtij sporti. Do të ishte hera e pestë që ai e fiton Ligën e Kampionëve, një sukses të cilin nuk e ka arritur asnjë futbollist tjetër. Në këtë aspekt, ai do ta kalonte Lionel Messin, i cili e ka fituar trofeun më të rëndësishëm në Evropë katër herë.
Dhe vetëm Messi është i krahasueshëm me Ronaldon sa i përket më të mirit në histori. Konsistenca e jashtëzakonshme në formë, padyshim se e bën Ronaldon, të paktën një prej dy lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit modern.
Por, a është ai më i miri i të gjitha kohërave? Po, ama veç në rastin sikur të mos ekzistonte argjentinasi magjik Messi. /Periskopi



