“A do ta respektoni aktgjykimin? A do të heqësh dorë?”, Albulena Haxhiu u shmanget kështu pyetjeve duke hyrë në Kuvend
Albulena Haxhiu nuk iu përgjigj gazetarëve ndërsa po hynte në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.
“Nuk ju kemi parë moti. Po më vjen shumë mirë që po takohemi”, tha deputetja, ndërsa nuk iu përgjgij pyetjeve nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta respektojë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe nëse ajo do të heqë dorë nga përpjekja për t’u bërë kryeparlamentare në rast se sërish nuk i merr votat e nevojshme.
Gjykata Kushtetuese konstatoi në një aktgjykim të fundit se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shkelje duke insistuar çdo dy ditë nëpërmjet kryesyesit të seancës konstituive, Avni Dehari që ta bënte të fshehtë votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi e propozuara e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu kishte dështuar disa herë t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare.
LVV-ja thotë pas aktgjykimit të fundit se “Gjykata Kushtetuese e shkeli Kushtetutën”, pak javë pasi thonin se të tjerët që s’e interpretonin si ta, po e keqlexonin një aktgjykim paraprak të kësaj gjykate.



