A do ta shes Ramiz Kelmendi votën pro demarkacionit?
Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi tani e një vit ka shkaktuar kolaps politik në vend. Derisa pozita këmbëngul në ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion, opozita në anën tjetër këtë e kundërshton bindshëm.
Mirëpo, duke qenë se vota pro demarkacionit është e rëndësishme për pozitën, nuk lihen anash as pazaret politike.
Burime të Periskopit bëjnë të ditur se deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Ramiz Kelmendi, i cili kishte ftuar spektrin politik në një tryezë bisedimesh për demarkacion, por që dështoi, votën e tij për demarkacionin po provon ta këmbej me pozitën e zëvendëskryeministrit.
Mirëpo, këtë e mohon Kelmendi, i cili për Periskopin tha se e nuk ka marrë ndonjë ofertë të tillë, duke shtuar se do të votojë duke u bazuar në emocionet e banorëve të zonës afër vijës kufitare me Malin e Zi dhe në bazë të fakteve që ofrojnë ekspertët.
“Nuk kam ndonjë ofertë të tillë. Nuk ka ndërlidhje. Qëndrimin tim e bazoj në emocionet e vendasve të mi dhe në atë çka thonë ekspertët. Nëse ekspertët përafrojnë fakte që më bëjnë me besu në ato fakte, vota ime shkon në favor të tyre”, tha Kelmendi. /Periskopi/



