A e tradhtoi Vetëvendosja, Andin Hotin? Flet Bedri Hamza
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit, konkretisht për kandidaturat e mundshme për këtë post nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë diskutimit, Hamza tha se deri vonë janë përfolur disa emra që mund të kandidonin për president dhe se disa prej tyre kanë kontaktuar deputetë të PDK-së për të kërkuar mbështetje.
“Deri vonë janë përfolur emra tjerë që do të jenë kandidatë për president nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata përnime kanë mendu që mos po bëhen president dhe kanë lobuar, kanë thirrë deputetë të PDK-së “a e kam votën tuaj”, tha ai.
Opinionisti Vehbi Kajtazi e pyeti nëse një nga personat për të cilët bëhej fjalë ishte Andin Hoti.
“Për kë e keni fjalën? Andin Hoti është përmendur njëri prej tyre”, ishte pyetja e Kajtazit.
Hamza nuk e konfirmoi drejtpërdrejt një gjë të tillë, por tha se deputetë të PDK-së i kanë treguar për telefonatat që kanë marrë nga persona që kërkonin votën e tyre.
“Ata që u kanë thënë. I kanë thirrë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës. Nuk po hy në atë pjesë. Ndoshta kanë menduar, më vonë ka dalë propozim z.Konjufca. Kur i ka ftuar njerëzit dhe u ka thënë “a mund ta kem votën tënde”, ma kanë thënë deputetët nga radhët e PDK-së.”, është shprehur Hamza, duke mos e pohuar as mohuar një gjë të tillë.
Në diskutim ndërhyri edhe gazetari Kelmendi, i cili tha se për disa orë dukej sikur Andin Hoti e kishte parë veten në postin e presidentit.
Ndërkaq Hamza shtoi me ironi se edhe nëse nuk e kishte parë veten në atë post, kishte qenë shumë afër.
“Edhe nëse nuk e ka parë që po ulet, e ka parë afër derës”, u shpreh Hamza.



