A po iu shkon nerva politika? Këqyreni veten së pari
“Nëse ka diçka të sigurt, atëherë është se unë vetë nuk jam marksist.” Vetë Karl Marksi e ka thënë këtë gjë. Më pëlqen vetë-njohja. Më pëlqen poezia e Manifestit Komunist. Më pëlqen që ai ishte një parashikues, profet i asaj që e quajmë sot globalizim. Më pëlqen që Marksi kuptonte se nuk ka ndonjë sferë të jetëve tona, publike a private, në të cilën kapitali nuk ndërhyn, dhe që s’mund të ketë kompromise mbi këtë gjë. Ai është mendimtari i madh i kohëve tona, por në vitet e fundit e kam ndërruar mendjen nëse ai është më i rëndësishmi.
Nëse dua të lexoj dikënd vepra e të cilit e shpjegon atë që po ndodh tani, e i cili është turbullues dhe radikal, ai është Sigmund Freudi. Është vepra e tij që shpesh shpjegon gjëra të cilat nuk do ta dija se po ndodhin rreth meje. Nuk kam hequr dorë nga Karli por Zigi [Siggy, shkurtore e emrit të Freudit] më godet si njeriu i momentit, si mendimtari që përforcon mënyrën si e shohim veten. Nuk e lexoni Freudin për t’u siguruar, por nëse doni diçka të thellë dhe shkëlqyese, e keni gjetur autorin e duhur.
Të lexosh Freudin është të fillosh të shohësh se çka është koncepti i asaj çka është person modern. Moderniteti, nëse nënkupton ndonjë gjë, nënkupton një farë kuptimi të procesit përmes të cilit ne e bëjmë veten ata që jemi: vetë-reflektimi. Për Marksin, reflektimi çon në relacionet e paevitueshme klasore. Por klasa punëtore është një zhgënjim i vazhdueshëm për të majtën sepse nuk e njeh veten si klasë, ose nuk vepron siç i thonë. Kjo, na thuhet, është faji i medieve ‘mainstream’, politikanët centristë dhe BBC-ja, por është në fakt fakt fenomen global. Freudi në fakt e kuptoi që kjo do të thoshte të ishe njeri me lëngim autoritar.
Ai e shihte racionalitetin si lustër; poshtë tij ne jemi një masë shtytjesh dhe kontradiktash. Ne jemi të panjohshëm për veten, të pabindur madje. Natyrisht, Freudi kishte fajet e tij – shpiku një shkencë që bazohej në bisedat e burrave për jetën e grave – por shikoni se çka na ka mësuar. Narcisizmin. Represionin. Nostalgjinë. Se si ligjet patriarkale funksionojnë pavetëdijshëm.
Shikoni politikën aktuale, tash e bazuar në “kthimin e kontrollit”. Freudi paralajmëroi që nostalgjia ishte lëngim për diçka që kurrë s’ka qenë, melankolinë. Si hebre, ndjesia e tij si fëmijë është si ajo e një të huaji në nevojë për t’u asimiluar.
Feminizmi është poashtu një lëvizje rreth të mos qenit i lejuar, ose e të qenit e pagatshme, për t’u asimiluar në shoqërinë patriarkale. Çdokush që e lexon rastin e famshëm të Freudit, Doran, do ta shohë një grua të re që nuk do ta luajë lojë, që refuzoi të bëhej objekt këmbimi i burrave të fuqishëm, që gjetën një zë. Ajo ishte paraardhëse e lëvizjes #MeToo.
Është Freudi ai që iu jep zë gjërave për të cilat nuk ndihemi rehat të flasim: seksualitetit të fëmijëve, perversioneve, fetishizimit dhe dhunës së dashurisë.
Për të gjitha pikat e zeza të tij – ai nuk e pa rritjen e antisemitizmit përreth tij, dhe frikësohej se do ta kryqëzonte kisha katolike – Freudi ishte i aftë të shihte në shoqërinë borgjeze e të thoshte: ajo çka mendoni se është racionale varet nga shtytjet të cilat nuk mund t’i kontrolloni plotësisht. Ai thoshte që edhe gratë mund të lakmojnë pushtetin, nëse jo penisët, e burrave.
Ai tha që ëndrrat kanë rëndësi, gabimet kanë rëndësi, e që çdo gjë ka rëndësi.
Mbështetësit e mbetur dhe disa demokratë amerikanë operojnë me nocione të tejtheshtuara marksiste të ndërgjegjes false. Kjo tregon që nëse njerëzit kanë faktet e duhura, edhe do t’i mendojnë gjërat e duhura. Momentumi kërkon të zgjojë njerëzit nën një version të vërtetë të socializmit, shumë shpesh që ushqen dikënd që lëngon për autoritet, veç të një lloji më të hirtë e më të këndshëm. Xheremi Korbini, ndoshta?
Emocionet janë në bazë të saj, jo veç pozicione klasore. Freudi e kuptoi këtë. Kur takova politikanë, shpesh i kam menduar si njerëzit më të pa vetëndërgjegjshëm që kam njohur. A nuk është pjesë e një lideri të mirë të ekzaminojë shtytjet e veta, egon, neurozat e përditshme, mundësitë për ndryshim, ashtu që të mos përsëris modelet e së kaluarës, apo të paktën që t’i njohë ato? Jo. Natyrisht që jo.
Freudi si një guru vetëndihmues vrau Freudin revolucionar. Por ai është i tillë, prandaj le t’i kthehemi atij. E kam ndryshuar mendjen për të sepse ai të ndryshon mendjen. Ne jetojmë në një kohë kur të shtypurit janë kthyer. Dhe është gjë e errët, shumë e errët. Nëse doni politikë të re, atëherë ekzaminoni dhe ndryshojeni mendjen tuaj. Këtu fillon e gjitha.
Përktheu nga The Guardian, Periskopi
*Titulli është përshtatur nga redaksia



