“A po shtrembërohet historia e Kosovës?” – Hashim Thaçi flet nga burgu për gazetën e famshme gjermane
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një intervistë nga burgu për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Gazetari Michael Martens, i cili prej kohësh ndjek zhvillimet në Ballkan, ka publikuar në platformën X disa nga pyetjet që i ka drejtuar Thaçit.
Sipas tij, intervista e plotë pritet të publikohet gjatë mbrëmjes.
Një nga çështjet e ngritura në intervistë lidhet me ndikimin e procesit gjyqësor në Hagë mbi interpretimin e historisë së Kosovës. Martens ka shtruar pyetjen:
“Pra, a ekziston rreziku që ky gjyq të shtrembërojë tablonë historike të asaj që ndodhi në Kosovë në vitet 1990, sepse për vëzhguesit sipërfaqësorë mund të ushqejë narrativën e rreme se ‘të dyja palët kanë kryer krime me peshë të barabartë’?”
Po ashtu, gazetari e ka pyetur Thaçin edhe për rolin e ish-prokurorit Jack Smith, i cili ngriti aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së:
“Donald Trump dhe i dërguari i tij (ish) i posaçëm Richard Grenell kanë shprehur opinione shumë negative për prokurorin Jack Smith, i cili ngriti aktakuza ndaj të dyve (fillimisht ndaj Thaçit, pastaj ndaj Trumpit). A e konsideron z. Thaçi Smith-in thjesht si një instrument politik në një lojë më të madhe?”
Kjo shënon intervistën e dytë të Thaçit nga burgu, pas deklarimeve të mëhershme që ai kishte dhënë për mediat në Kosovë.




