A u ndaluan dronët për regjistrimin e protestës me urdhër të Sveçlas, për të fshehur masivitetin e saj?
Prishtina u mbush dje me mijëra qytetarë në një nga protestat më të mëdha të viteve të fundit kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale, ku sheshet e kryeqytetit gumëzhinin nga thirrjet për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, pavarësisht pjesëmarrjes së jashtëzakonshme, pamjet reale ajrore të masivitetit munguan, dhe kjo jo rastësisht. Demokracia.com ka siguruar të dhëna që tregojnë se Policia e Kosovës kishte ndaluar përdorimin e dronëve në gjithë territorin e vendit në ditën e protestës, vendim që burime të sigurta thonë se është marrë me urdhër politik të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Organizatorët e protestës së djeshme në Prishtinë kishin kërkuar leje nga Policia e Kosovës për regjistrimin e pamjeve ajrore të tubimit, por kërkesa e tyre u refuzua.
Sipas email-eve të siguruara nga Demokracia.com, dje të gjitha operimet me dron në territorin e Kosovës u ndaluan me kërkesë të Policisë së Kosovës.
Burime brenda institucioneve pohojnë se ndalimi është bërë me urdhër politik të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për të shmangur publikimin e pamjeve që do të tregonin masivitetin e protestës.
Në email-et e siguruara nga organizatorit të protestës OVL të UÇK-së, i është ndaluar përdorimi i dronëve, me arsyetimin se kjo masë hyn në fuqi më 7 korrik, duke filluar nga ora 12:00, “për shkak të çështjeve të sigurisë së operacioneve policore” lidhur me ndeshjen që do të zhvillohej në Stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45.


Demokracia.com ka mësuar se pamjet e publikuara dje nga lart, ku shihej Sheshi i Prishtinës i mbushur me qytetarë, janë realizuar nga një dron që ka fluturuar para nisjes zyrtare të protestës.
Sipas burimeve, Policia e Kosovës e ka identifikuar dhe konfiskuar dronin ende pa filluar fjalimet, duke ndaluar kështu çdo regjistrim tjetër ajror gjatë momentit kulmor të protestës, kur pjesëmarrja ishte edhe më e lartë.
Në sheshet e Prishtinës, mijëra qytetarë protestuan kundër Gjykatës Speciale, duke mbajtur flamuj dhe duke brohoritur “UÇK”, ndërsa kërkonin një proces gjyqësor të drejtë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Protesta u mbështet nga disa prej partive politike që dikur kishin votuar për themelimin e Gjykatës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e refuzoi pjesëmarrjen, duke e quajtur atë të vonuar.
Pamje nga droni që u konfiskua para nisjes së protestës./Periskopi




