AAK: Thaçi e Mustafa mëkatarët më të mëdhenj për dëmet e Kosovës
Lahi Brahimaj, deputeti i AAK-së, thotë se qeveria duhet të jetë më serioze dhe e pakompromis me Serbinë, e cila vazhdon të jetë e shtrirë paralelisht në veri duke i financuar strukturat kriminele qe ndërtojnë murge e pengesa.
“Është prishur një strukturë e betonit, por është lejuar të ndërtohet një strukturë e çeliktë e cila do të komandohet nga strukturat kriminale të Rakiqit, prapë se prapë do të ketë pengesa të cilat do të përdoren në disa raste kur ju nevojiten Serbisë në një të ardhme. Pra nuk është se kemi hapje të veriut e integrim të tij, por veprime ad-hoc sa për të thënë se po bëjmë diçka”, ka thënë Brahimaj për ‘Indeksonline’.
Deputeti i AAK-së, e bën fajtor Thaçin dhe Mustafën për të gjithë pengesat që po bëhen nga Serbia në Kosovë.
Presidenti dhe kryeministri, sipas tij, duke mos pranuar se ju ka ardhur fundi në politikë po qëndrojnë edhe me tutje në krye të pushtetit në emër të kompromiseve me Serbinë e në dëm të Kosovës.
“Pra, kemi fajtorë që në vend të dënimit të këtyre akteve të disa përfaqësues serb, i falënderojnë ata për veprimet e turpshme që kanë bërë, i tillë ishte edhe rasti i fundit kur kryeministri Mustafa disa herë e falënderonte Rakiqin lidhur me “rrënimin” e murit”, ka shtuar ai.
Ndryshe, pas rrëzimit të murit të djeshëm në Mitrovicë, kryetari i veriut, Goran Rakiq ka paralajmëruar se të martën do të fillojë ndërtimi i “një strukturë betoni mbështetëse dhe të fortë në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash”, e që sipas tij është për të garantuar sigurinë e qytetarëve të komunës së Mitrovicës së veriut.



