Abazi: Kryeministri është njeriu më toksik në politikën e Kosovës
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar ashpër pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, duke paralajmëruar përkeqësim të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe thellim të krizës së brendshme politike.
I ftuar në A2CNN, Abazi u shpreh se rezultati zgjedhor nuk ishte i parashikuar dhe erdhi si pasojë e manipulimeve politike, presionit financiar dhe përdorimit të buxhetit publik në ditët e fundit të fushatës.
“Askush nuk e ka pritur këtë rezultat. Ka pasur manipulim klasik me buxhetin, shpërndarje të parasë publike në ditët e fundit dhe kërcënime ndaj administratës publike se nuk do të kishte paga nëse nuk votohej pro”, tha Haki Abazi.
Abazi tha se Kosova ka kaluar një vit të tërë pa institucione funksionale, duke e cilësuar situatën si “sabotim të vullnetit qytetar”, ndërsa paralajmëroi se vendi do të përballet me pasoja të rënda ekonomike dhe politike.
“Kosova do të mbetet me fatura të larta të energjisë, me përpjekje për kontroll të sektorit privat dhe me një tendencë centralizimi. Do të jetojmë çdo ditë me mendësinë e Albin Kurtit.”
Sipas ish-zv.kryeministrit, Kuvendi gjatë katër viteve të fundit nuk ka funksionuar si institucion demokratik, por si instrument i kryeministrit.
“Nuk ka qenë Kuvend. Ka qenë një vend ku Kurti dhe mashat e tij kanë manipuluar dhe orkestruar sistemin legjislativ.”
Duke folur për të ardhmen politike, Abazi u shpreh skeptik për çdo përpjekje për unifikim politik, duke theksuar se testimi i opozitës vetëm përmes marrëveshjeve ndërkombëtare nuk përbën dialog demokratik./Periskopi/



