Abdixhiku për Agim Ramadanin: Me dorën që shkruante e kapi armën, për një shpirt krijues robëria është shkatërrim i kuptimit të jetës
Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar heroin e Kosovës, Agim Ramadani, i cili ra në Betejën e Koshares para 27 vitesh.
Abdixhiku ka shkruar se Agim Ramadani e kapi armën me dorën që dikur shkruante, meqë ishte domosdoshmëri.
Kreu i LDK’së ka thënë se për një shpirt artisti si Agim Ramadani, robëria është shkatërrim i vetë kuptimit të jetës.
Abdixhiku ka publikuar edhe fotografi nga organizimi i sotëm ku shihet bashkë me djalin e Agim Ramadanit.
Postimi i plotë:
Ka figura që nuk mund t’i vendosësh në një përkufizim të vetëm. Agim Ramadani ishte një prej tyre.
Në të bashkëjetonin dy botë që rrallë takohen: ndjeshmëria e artistit dhe vendosmëria e luftëtarit. Ai e ndiente jetën thellë, e përfytyronte lirinë si krijim, si dritë, si diçka që duhet të marrë formë dhe kur kjo formë iu mohua, ai nuk u tërhoq. U ngrit.
Në të njëjtën dorë që dikur vizatonte dhe shkruante, erdhi një ditë edhe arma. Jo si zgjedhje e parë, por si domosdoshmëri. Sepse për një shpirt krijues, robëria nuk është vetëm mungesë lirie, është shkatërrim i vetë kuptimit të jetës. Dhe Agimi nuk ishte njeri që pranonte të jetonte pa kuptim.
Katanë e thirrën. Dhe kjo nuk ishte rastësi. Ishte reflektim i një natyre të qartë, të prerë, të menduar. Një njeri që nuk vepronte në mjegull, por në bindje. Që nuk godiste nga zemërimi, por nga qartësia. Dhe në atë qartësi, ai e pa kufirin si diçka që duhej zhdukur, jo vetëm kaluar.
Në zhdukje të kufirit ai ra.
Sot, kur e kujtojmë, nuk e ndajmë dot në pjesë. Nuk është vetëm luftëtar, as vetëm artist. Është një i tërë, një jetë që dëshmon se liria fillon si ide, merr formë në shpirt dhe kur vjen koha, mbrohet me gjithçka. Dhe pikërisht për këtë, ai mbetet, jo vetëm në histori, por në vetë kuptimin që i japim lirisë.
Lavdi e nderime të përjetshme për Agim Ramadanin.



