Abelard Tahiri, kërkon të mos përfshihet në dhjetëshen e parë të listës zgjedhore të PDK’së
Deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur sot se i ka kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzës, që të mos e rendisë në dhjetëshen e parë të listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
Në deklarimin e tij publik, Tahiri ka sqaruar arsyet e këtij vendimi, duke rikujtuar funksionet që ka mbajtur gjatë viteve në institucionet e vendit.
“Gjatë këtyre viteve kam ushtruar pozita të ndryshme në institucionet e Republikës së Kosovës: rreth 10 vite si këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi në Qeveri dhe Presidencë, gati 3 vite Ministër i Drejtësisë dhe 5 vite Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK’së, në dy mandate”, ka deklaruar ai. Sipas Tahirit, vendimi është marrë pas reflektimit personal dhe me qëllim krijimin e hapësirës për kuadro më të reja brenda subjektit politik.
“Besoj se secili prej nesh duhet të reflektojë. Numrat nuk trashëgohen dhe nuk janë të garantuar. Ne që kemi përvojë duhet të kontribuojmë që gjeneratat e reja të kenë mundësi më të madhe për përfaqësim në Kuvend.”
Tahiri ka konfirmuar se do të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK’së, por jo në pozitat e para si në zgjedhjet e kaluara.
“Do të jem pjesë e listës, por jo në dhjetëshen e parë, ashtu siç kam qenë në zgjedhjet e fundit.”
Në fund të deklaratës, ai ka shprehur përkrahje për kandidatin e PDK’së për kryeministër, Bedri Hamzën.
“Na priftë e mbara me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Bedri Hamzën.”
Postimi: KËTU



