Abelard Tahiri: Krasniqi e udhëhoqi PDK-në në një periudhë jo të lehtë për vendin

Abelard Tahiri: Krasniqi e udhëhoqi PDK-në në një periudhë jo të lehtë për vendin

Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas dorëheqjes së kreut të partisë Memli Krasniqi.

Përmes një reagimi në rrjetin social, Facebook, Tahiri tha se Memli Krasniqi e udhëhoqi PDK-në me përgjegjësi, urtësi dhe përkushtim në një periudhë jo të lehtë.

Ai falënderoi Krasniqin për çdo ditë pune dhe tha se përtej çdo roli politik ai do të mbetet një prej miqve më të kirë të tij.

“Gjatë kësaj kohe, PDK doli dy herë partia më e votuar në zgjedhjet lokale dhe arriti të rikthejë besimin e qytetarëve përmes një vizioni të qartë dhe një kulture të re politike. Në zgjedhjet parlamentare, me propozimin e Bedri Hamzës për kryeministër, Memli dëshmoi se politika mund të bëhet me seriozitet, qetësi dhe me plane të ndërtuara për të ardhmen”, shkroi Tahiri ndër tjerash.

Postimi i plotë:

Memli Krasniqi, i cili mori drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës në korrik të vitit 2021, e udhëhoqi me përgjegjësi, urtësi dhe përkushtim në një periudhë jo të lehtë as për vendin, as për politikën tonë.

Gjatë kësaj kohe, PDK doli dy herë partia më e votuar në zgjedhjet lokale dhe arriti të rikthejë besimin e qytetarëve përmes një vizioni të qartë dhe një kulture të re politike.

Në zgjedhjet parlamentare, me propozimin e Bedri Hamzës për kryeministër, Memli dëshmoi se politika mund të bëhet me seriozitet, qetësi dhe me plane të ndërtuara për të ardhmen.

Përtej çdo roli politik, Memli është dhe mbetet një prej miqve të mi më të mirë, një njeri me karakter, besnikëri dhe idealizëm të rrallë.

Kontributi i tij në forcimin e PDK-së dhe në konsolidimin e opozitës do të mbetet pjesë e historisë sonë politike.

Faleminderit, Memli Krasniqi për çdo ditë pune, për çdo sfidë të përballuar me dinjitet dhe për çdo hap që e ke bërë për të mirën e Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës. 🇽🇰💙

Shpërndaje në: